Iran, aktivizohet centrali i parë atomik

04/09/2011 13:50

Impianti i parë bërthamor i Iranit është lidhur me sistemin energjitik të vendit, bëjnë të ditur mediat shtetërore iraniane.

Impianti i Bushehrit furnizonte me 60 megavat, nga 1 mijë megavat që është kapaciteti i tij, rrjetin elektrik kombëtar, nënvizojnë burimet.

Njësia gjeneruese e reaktorit filloi të vepronte në një nivel të ulët në muajin maj, duke bërë që Izraeli dhe vende të tjera të shprehnin shqetësimin se reaktori mund të ndihmojë Teheranin të prodhojë bombën bërthamore.

Qeveria iraniane thotë se qëllimet e saj janë tërësisht paqësore, por Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka shprehur shqetësimin se Irani po punon në mënyrë sekrete edhe mbi përbërësit e një programi armësh atomike.

Organizata iraniane për Energjinë Atomike deklaron se impianti në jug të vendit u lidh me rrjetin elektrik kombëtar në orën 23:30 të ditës së djeshme.

Lidhja ishte programuar të bëhej nga fundi i vitit të kaluar, por me zhvillimet në Bushehr që nga fillimi i projektit në vitin 1970, ajo u shty.

Ndërtimi në impiant u ndërpre pas revolucionit islamik të 1979-ës deri në mesin e viteve ’90, kur Moska nënshkroi një marrëveshje miliardadollarëshe me Teheranin për ta përfunduar.

Top Channel