Libi, KKT do të zhvendoset në Tripoli

03/09/2011 21:55

Autoritetet e përkohshme libjane po përgatiten të zhvendosen në Tripoli nga fortesa e tyre e gjithë kësaj kohe, Benghazi.

Kreu i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, Mustafa Abdul Jalil, u shpreh se mbështetësit e tij mund të lëvizin drejt kryeqytetit brenda javës së ardhshme.

Grupeve anti-Gaddafit që patrullojnë rrugët e Tripolit u është kërkuar të shkojnë në shtëpi, ndërsa në kryeqendrën e vendit po tentohet rikthimi në normalitet. Por në pjesë të tjera të Libisë, luftime vazhdojnë.

Rebelët po avancojnë ngadalë drejt Sirtes, vendlindjes së kolonelit, njëkohësisht bastion i besnikëve të tij.

Ultimatumi i dhënë këtyre të fundit për të hedhur armët, është deri në 10 shtator.

Kryengritësit po merren edhe me disa xhepa rezistence në dy vende të tjera më të vogla, Bani Ualid dhe Sabha.

Vendodhja e Gaddafit vazhdon të mbetet një mister, por qarkullojnë fjalë se lideri i përmbysur libian mund të fshihet në njerin prej këtyre tre vendeve, ku ende gëzon përkrahje.

Një ditë më paëe, Këshilli i Tranzicionit njoftoi se 5 kompani ndërkombëtare të energjisë po rifillojnë operacionet në vend, një hap i rëndësishëm ky në përpjekjet e Tripolit për rindërtimin e ekonomisë së shkatërruar nga lufta dhe sanksionet.

Një nga anëtarët e Këshillit, Arif Najed, tha se mes kompanive është edhe gjigandi italian i naftës, ENI.

Ai i bëri këto komente në Paris, pas takimit mes drejtuesve të Këshillit Kombëtar dhe zyrtarëve të huaj, të cilët po bashkëpunojnë për të gjetur mënyra specifike për të ndihmuar vendin pas luftës disa mujore me forcat e Muamar Gadafit.

Top Channel