Kastro mesazh për Chavez

03/09/2011 00:45

Për të shuar zërat që po qarkullojnë në qarqet mediatike dhe politike botërore për gjendjen shëndetësore të Fidel Kastros, ka menduar presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez.

Chavez deklaroi nga Karakasi se ka marrë një mesazh nga Fidel Kastro, ku lideri kuban, interesohej për shëndetin e tij, megjithëse prej disa ditësh qarkullojnë zëra se Kastro vetë ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Sapo mora një mesazh mbështetjeje dhe optimizmi nga Fidel Kastro. Fidel dëshiron të dijë gjendjen time shëndetësore. Do të dijë gjithcka, madje edhe sa herë shkoj në banjo”, tha Chavez,

Më tej presidenti venezuelian, që iu nënshtrua seancës së tretë të kimioterapisë shprehet optimist se shumë shpejt do të mund të lërë spitalin ku gjendet i shtruar prej disa ditësh.

“Me ndihmën e Zotit, kjo është terapia e fundit dhe për pak orë do të jem jashtë, do të lë spitalin. Nuk është koha për të vdekur!”, deklaroi Chavez nëpërmjet telefonit për mediat vendase.

Kubë, mister mbi shëndetin e Kastros

Hije misteri kanë mbuluar gjendjen shëndetësore të Fidel Kastro, pas zërave që kanë qarkulluar në orët e fundit në Twitter, se ishte shumë i sëmurë, ose se kishte vdekur.

Por në Kubë gjithcka rrjedh normalisht. Edhe pse lideri i madh, tashmë 85-vjecar, nuk shfaqet në publik prej ditësh, shumë njerëz janë të bindur se bëhet fjalë për “brockullat” e radhës.

Gjithësesi, mesazhet në Twitter kanë qenë insistues, të shumtë dhe nga e gjithë bota. Edhe disidentja Yoani Sanchez ka ndërhyrë dhe ka thënë se nuk di asgjë mbi gjendjen e Kastros.

“Telefoni im bie pa pushim. Më telefonojnë për të më pyetur nëse është e vërtetë që ai është rëndë. Unë nuk e di. Por nëse do të ishte kështu, ne kubanezët do të jemi të fundit që do të informohemi”, ka thënë disidentja në blogun e saj.

Ndërkohë, sipas faqes së internetit “Naked Security”, që heton mbi problemet kibernetike, gjithcka e ka zanafillën tek një mesazh “spam” që përmbante një virus me titullin “Fidel Kastro ka vdekur”.

Bashkangjitur me mesazhin është edhe një fotomontazh me liderin kubanez, i shtrirë në krevat, me kokën të mbështetur tek jastëku dhe sytë e mbyllur.

Në një link gjendet edhe një video, që në të vërtetë është një program gati të infektojë sistemet software.

 

Top Channel