Siria, përballje me sanksione të reja

02/09/2011 09:30

Siria po përballet me lëvizje të reja për vendosjen e sanksioneve më të
rrepta, ndërkohë që në vend pritet të regjistrohen sot protestat e
radhës kundër regjimit.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të vërë në shënjestër eksportet e gazit dhe naftës siriane dhe i kërkoi sërish presidentit Assad që të tërhiqet.

Ministrat e vendeve të BE-së do të takohen sot në Poloni për të diskutuar mbi mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja.

Ndërkohë, në Siri aktivistët po bëhen gati për një ditë tjetër protestash me parullën “më mirë vdekja se poshtërimi”.

Ata thanë se të enjten shtatë persona të tjerë u vranë nga forcat e sigurisë, ndërsa Kombet e Bashkuara vlerësojnë se mbi 2200 persona janë vrarë në Siri në gjashtë muaj protesta.

Ditën e djeshme në Paris, zonja Clinton dënoi brutalitetin e Assad ndaj civilëve të carmatosur duke thënë se, “dhuna duhet të ndalë dhe ai të tërhiqet”.


AI: Masakra në burgjet siriane

Amnesty International ka deklaruar se dyshon se të paktën 88 persona kanë vdekur në burgjet e Sirisë gjatë pesë muajve të fundit.

AI thotë se personat që kanë vdekur, përfshirë 10 fëmijë, janë bërë subjekt i rrahjeve, djegieve, elektroshokut dhe torturave të tjera.

Grupi nënvizon se dyshon që të gjithë personat e vdekur ishin arrestuar pasi kishin marrë pjesë në protestat anti-qeveritare.

Gazetarëve të huaj u është ndaluar hyrja në Siri dhe raportet e Amnesty International nuk mund të verifikohen menjëherë.

Dyshimet, të publikuara në një raport, vijnë pak kohë pasi qeveria siriane mohoi zërat se të paktën një varr masiv ishte zbuluar në periferitë e qytetit jugor të Derasë.

“Vdekjet prapa hekurave po arrijnë përmasa të mëdha dhe duket se janë vazhdimi i përcmimit të jetës së qytetarëve që po shohim përditë në rrugët e Sirisë”, ka deklaruar Neil Sammonds, aktivist i AI në Siri.

Zoti Sammonds ka bërë të ditur për BBC se organizata ka emrat e të paktën 3 mijë personave që aktualisht mbahen në gjendje burgimi.

BE, sanksione Sirisë

Bashkimi Europian duket se ka gjetur konsensusin për ndalimin e importeve të naftës siriane, një tjetër përpjekje kjo për të shtuar presionin mbi regjimin e Bashar al Asadit.

Blloku ka rënë dakort në parim me sanksionet e reja, sic shpjegoi një zyrtar që kërkoi të mos përmendet në emër, në përfundimin e një takimi të ekspertëve europianë mbi këtë temë në Bruksel.

Një hap i tillë duket se është konfirmuar edhe nga burime diplomatike të cilat thonë se ndalimi i produkteve të naftës nga Damasku ka marrë mbështetjen e 27 vendeve anëtare të BE-së. Aprovimi përfundimtar nga secila qeveri duhet të mbërrijë deri nga fundi i javës.
 

Top Channel