Plagët e pashëruara të shëndetësisë

02/09/2011 00:00

Xhovani Shyti – Mungesa e reformave e ka përshkallëzuar gjendjen e
rënduar të sistemit shëndetësor. Të katandisur madje, akoma më keq se në
kohët e shkuara. Plagët e qena prezente, edhe kur në krye të MSH nuk
ishte Petrit Vasili, vazhdojnë të jenë të qenësishme, ndonëse në prag të
bërjes ministër ai u zotua t’i shërojë nëpërmjet ndërmarrjes së
reformave të thella.

Boshllëkun e sivjetshëm mediatik, që krijoi nxehtësia përvëluese e vapës së gushtit, e mbushi, për disa javë, një polemik gazetaresk. Saktësisht politiko-gazetareske.

Artikulli “goditës”, që ndezi polemikën titullohej “Raxh Kapuri i shëndetësisë”, pas të cilit në vallen polemizuese hyn dy politikanë. Vangjel Tavo, me profesionin mjek, aktualisht deputet i forcës politike Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), zv.kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, dhe Lefter Koka, deputet po i të njëjtës forcë politike, pra LSI. Përveç tyre pati edhe të tjerë, ca mbrojtës dhe ca sulmues, të përfshirë në polemikën që si sferë të goditjes kishte shëndetësinë. Situatën që e sundon sistemin shëndetësor të vendit, tash e dy vjet nga ardhja në krye të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) të Petrit Vasilit. Ministrit që, sikurse dhe Tavo e Koka, i përket forcës politike LSI.

Ndërsa autori i shkrimit “Raxh Kapuri…”, konstatonte se, përkundër deklarimeve mburravece të ministrit, shëndetësia shqiptare është në të njëjtat parametra me atë të kohës së Indisë së Raxh Kapurit, të njëjtin konkluzion shfaqnin edhe deputetët Tavo e Koka. Edhe sipas tyre: mungesa e reformave dhe etja e ministrit për fitime të pamerituara e ka përshkallëzuar gjendjen e rënduar të sistemit shëndetësor. Të katandisur, madje, akoma më keq sesa ajo ishte në kohën e drejtimit të këtij dikasteri nga Anila Godo e Partisë Republikane dhe Nard Ndoka, i demokristianëve. Ka ndodhur kjo, ndërkohë që, para se të hipte në kolltukun e ministrit, Petrit Vasili deklaroi bujshëm se do ta reformonte në themel këtë sistem. Me demek do ta përmbyste tërësisht ish-situatën e trashëguar dhe do të sillte një tjetër realitet ku të zotëronte tereni i favorshëm për pacientin shqiptar. Njësia e parë e deklaruar prej tij se do të ishte dallëndyshja e përmbysjes së situatës do të ishin spitalet, farmacitë e spitaleve, ku si pasojë e allishverisheve zyrtar-tregtar mungonin edhe ilaçet më të thjeshta e të domosdoshme për pacientët, të cilët i blinin ato nëpër farmacitë private të rekomanduara prej mjekëve xhambaz.

Këtë njësi problematike, Vasili para se të bëhej ministër, u zotua se do ta vinte në shina, duke shpallur madje edhe fundin e korrupsionit të trashëguar nga ish-homologët. Sikurse u zotua se do t’i jepte fund çdo lloj korrupsioni të mbarsur në sistemin shëndetësor, pra në të tre përbërësit e tij: në mjekësi, në shëndetin publik dhe atë farmaceutik.

Do ta përmbys situatën që kam trashëguar nëpërmjet ndërmarrjes së reformave të thella, ishte deklarata e Petrit Vasilit, para se të emërohej ministër, politikisht zv.kryetar i LSI-së, profesionalisht, pjesë e sistemit shëndetësor.

Qenia e tij ciceron mendjembushës tavolinash bëri që ai ta kapte postin e ministrit të Shëndetësisë edhe pse nga zgjedhjet e 2009-s nuk ishte zgjedhur deputet. Madje, LSI-ja anashkaloi edhe kontributin e tij, aspak për t’u pasur zili, si zv.ministër i Shëndetësisë, vite më parë, kur qeverisnin socialistët.

Mirëpo sa i mbajti premtimet Petrit Vasili pasi u bë ministër? Në çfarë ujëra noton sot shëndetësia shqiptare rreth dy vjet nga qenia e tij në këtë post?

Si në kohën e Raxh Kapurit, do të vlerësonte autori i komentit me të njëjtin titull, z. Hila, duke mos ngurruar t’i përmendte ministrit edhe akuzat për përfshirjen e tij në një aferë medikamentesh me vlerë mbi 1.5 milionë euro. Duke stimuluar në rrugë jo ligjore një kompani medikament-tregtuese në pronësi të kushëririt të tij të parë.

Edhe deputeti i LSI-së, njëherësh edhe zv. kryetar i Parlamentit shqiptar, z. Tavo, i thoshte ministrit të LSI-së, se përkundër moskryerjes së asnjë lloj reforme shëndoshëse në sistemin e sëmurë shëndetësor, ai dhe tarafi i tij e kanë shfrytëzuar kapjen e ministrisë për të shëndoshur financat personale.

Por, duke dalë përtej kësaj afere, deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, e bën përgjegjës ministrin e LSI-së, jo deputetin Petrit Vasili, edhe për moskryerjen e reformave në sistem. Reforma që, sipas tij dhe kolegut Lefter Koka, do të sillnin një tjetër imazh pozitiv të shqiptarëve për Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim. Krejtësisht ndryshe nga kjo që ka mbjellë ministri Vasili, gjatë drejtimit të ministrisë ku, sikurse vlerësojnë të tjerë kompetentë brenda shëndetësisë, përfitimi individual, fjalëshumëria dhe pakpunësia janë mbisunduese.

“E kam ndjekur polemikën. E vlerësoj, sepse është temë problematike dhe nuk u intereson vetëm polemizuesve, por të gjithëve ne. Shëndetësia është preokupim i të gjithëve… Rreshtohem me Hilën, Tavon dhe Kokën në faktin se një ministër, apo kushdo drejtues që përfshihet në afera nuk mund të bëjë reforma. Është i kapur… Për mua Titi, që në çastin që u publikua afera e ilaçeve me djalin e tezes, a ku di unë ç’e ka atë tipin, duhej zëvendësuar… E quaj të vonuar reagimin e z. Tavo dhe Koka, por edhe të LSI-së, imazhi i të cilës po dëmtohet… Për mua asgjë nuk është bërë. Shëndetësia është njësoj si në kohët e shkuara. Në mos më keq…”.

Janë vlerësime të punonjësve e bashkëpunëtorëve të administratës shëndetësore. Ata thonë se, duke përjashtuar, deri diku shërbimin dytësor, pjesa tjetër e sistemit shëndetësor është në kolaps. E përmbytur nga të preferuarit dhe besnikët eunukë të ministrit. Dikush me mbiemrin Rrjepsi, thonë ata, është njëri prej tyre. Ish-akaparuesi i projekteve në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP), lidhje e vjetër në fushën e financave, me Petrit Vasilin jo ministër, u emërua si shef kabineti i ministrit sapo Titi hipi në krye të shëndetësisë. Zërat brenda dikasterit thonë se Rrjepsi vazhdon të jetë kontrolluesi i rreptë i sektorëve ku qarkullon vlera financiare.

Si pasojë e kësaj hovardarjeje, krahas shumë dobësive të tjera dhe kthimit të spitaleve, ligjërisht pronë shtetërore në pronë private të personelit mjekësor, nëpër farmacitë e spitaleve vazhdojnë të mungojnë ilaçet e barnat më të domosdoshëm. Pacientët vazhdojnë t’i paguajnë me para nën dorë shërbimet që marrin.

Po situatë e vrazhdë vazhdon edhe në sistemin farmaceutik ku “reforma Vasili”, në emër të liberalizimit, hoqi kriterin e distancave midis farmacive dhe sot ato i gjen sup në supë me njëra-tjetrën. Katamenos.

Por e njëjta situatë, si në kohën e Raxh Kapurit, është prezente edhe në Shëndetin Publik. Ku nuk ndihet asnjë dorëvënie reformuese dhe për pasojë strukturat vazhdojnë funksionimin si në kohën e Raxh Kapurit.

Në vend të reformimit transformues, emërimi i drejtorit të ri në ISHP solli edhe shtimin e numrit të punonjësve parazitë. Shok, miq e të afërm, të cilët nuk bëjnë tjetër, por sikurse pjesa dërrmuese e punonjësve të vjetër të këtij instituti dredhin zinxhirin dhe përfitojnë pagat e dala nga buxheti i qeverisë që e ka shpallur veten në dietë. Tre nëndrejtorë bëjnë hije në ISHP. Njëri pajustifikueshëm mësues fizike, dhe ngaqë është profan në shëndetin publik, orarin zyrtar e shfrytëzon duke prerë artikuj gazetash për të bërë libra me frymë proqeveritare. Një tjetër nëndrejtore mbulon financat, ku thuhet se gjallojnë llogaritë e dyshimta, që komprometojnë një sërë drejtuesish. Për këtë arsye ajo është shpallur monument administrate i palëvizshëm. Në konfidencë thuhet se fondi vjetor i dietave të këtij instituti përfundon qysh në muajin korrik. Merren dieta të pamerituara. Nëndrejtori i tretë ka pak javë që është emëruar. Është kontingjent i rrethit të qejfit të drejtorit të ri, Enver Roshi, një tjetër burokrati i sjellë nga LSI-ja, i cili qenien drejtor të ISHP-së, sikurse paraardhësi i tij, e konsideron domen dhe sport. Borderoja që ai firmos në këtë institucion është e disata pas atyre si profesor në mjekësi, si pjesë e stafit të zv.kryetarit lësëist të bashkisë etj. Sikurse paraardhësi i tij, drejtori Roshi posedon edhe një shoqatë të listuar në financime e donacione, kurse më shumë se 190 punonjësit e ISHP-së, të emërtuar inspektorë, vazhdojnë t’i zhvatin buxhetit të qeverisë në dietë më shumë se 20 milionë lekë çdo muaj, ndonëse nuk e ushtrojnë këtë funksion.

Janë plagë të qena prezente edhe kur në krye të MSH nuk ishte Tit Vasili. Janë plagë të sistemit që ai u zotua t’i shërojë nëpërmjet ndërmarrjes së reformave të thella. Reforma mendjembushëse të deklaruara nëpër tryezat e LSI-së e të kafeneve, por që nuk u panë kurrë në realitet.

Top Channel