Meksikë, arrestohet oficeri i policisë

02/09/2011 10:45

Një oficer i policisë meksikane është arrestuar në lidhje me zjarrvënien
e qëllimshme në një kazino në qytetin verior të Monterreit, ku si
pasojë gjetën vdekjen 52 persona.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm të Meksikës ka bërë të ditur se oficeri është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa hipte në një makinë jashtë kazinosë menjëherë pasi ishte vënë zjarri.

Pak ditë më parë, lidhur me të njëjtën ngjarje, policia arrestoi pesë persona, të dyshuar si anëtarë të kartelit famëkeq të drogës, Los Zetas.

Pista ku janë përqendruar hetimet e policisë është refuzimi i pronarëve të kazinosë për t’u paguar organizatave kriminale “taksën e mbrojtjes”.

Siguria në Monterrei është rritur ndjeshëm me mbërritjen e qindra policëve dhe trupave ushtarake pas sulmit, rreth një javë më parë.

Jose Salinas, nga zyra e prokurorit të përgjithshëm, tha për gazetarët se oficeri i policisë së shtetit Nuevo Leon aktualisht ndodhet nën mbikëqyrjen e hetuesve federalë.

Ndërsa guvernatori i këtij shteti, Rodrigo Medina tha më herët gjatë javës se pesë personat e arrestuar pranuan përgjegjësinë për zjarrvënien në kazino.

Top Channel