SHBA, detaje të reja mbi fluturimet e CIA-s

01/09/2011 14:00

Një cështje e hapur në një gjykatë amerikane ka nxjerrë në dritë detaje
mbi fluturimet sekrete të CIA-s, që kanë transportuar të dyshuarit për
terrorizëm në mbarë botën pas sulmeve të 11 shtatorit.

Kompania e avionëve carter, “Richmor Aviation” dhe kompania tjetër “SportsFLight” janë angazhuar në një betejë ligjore 4-vjecare për shkak të kostos së fluturimeve.

Të dyshuarit dërgoheshin në burgje sekrete të CIA-s nëpër botë dhe në kampin e burgimit të Guantanamos në Kubë. Shumë prej tyre dyshohet se janë torturuar.

Detajet që përfshijnë kostot dhe itineraret e fluturimeve të organizuara nga firma private aviacioni janë zbuluar në procesin gjyqësor.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë deklaruar se materialet përbëjnë një vështrim të paprecedent mbi mënyrat e fshehta të veprimit të qeverisë.

Një gjykatës i Nju Jorkut vendosi vitin e kaluar një dëmshpërblim prej 1.6 milion dollarësh për kompaninë “Richmor”.

Në maj vendimi u konfirmua në një gjykatë apeli, e cila gjithësesi e uli dëmshpërblimin në 874 mijë dollarë. Por “Richmor” insiston se nuk është bërë pagesa e plotë.

Gjatë procesit, presidenti i kompanisë, Mahlon Richards, i cilësoi fluturimet si sekrete dhe tha se pasagjerët ishin “punonjës të qeverisë dhe të ftuarit e tyre”.

Por ai tha gjithashtu se druhej se në avionët e tij po transportoheshin persona të dyshuar për terrorizëm dhe “djem të këqinj”.

Top Channel