Japoni, simulohen katastrofat natyrore

01/09/2011 09:50

Policia japoneze ka bllokuar rrugët kryesore gjatë orës së pikut në Tokio, në kuadër të një tërmeti të simuluar.

Është hera e parë që autoritetet janë përpjekur të simulojnë një bllokim të tillë që do të ndodhte pas një katastrofe.

Banorët në të gjithë Japoninë bëjnë operacione të tilla cdo vit, më 1 shtator. Këtë herë operacioni është marrë edhe më seriozisht, për shkak të tërmetit dhe tsunamit që më 11 mars rrafshoi veri-lindjen e vendit.

Në 09:00, me orëtn lokale, u dëgjuan sirenat e emergjencës dhe policia zbarkoi në rrugë, duke i bllokuar ato.

Për 10 minuta trafiku u ndal në 100 pika të ndryshme në Tokio, zona më e madhe urbane në botë.

Synimi i bllokimit ishte gjetja e mënyrave se si automjetet e emergjencave do të kalonin përmes pikave të ngritura nga policia.

Japonia bën prova katastrofash cdo vit, mëngjesin e 1 shtatorit, që përkon me përvjetorin e tërmetit masiv që përfshiu Tokion në vitin 1923.

Kjo është hera e parë që trafiku është ndaluar. Vendimi u mor pasi tërmeti dhe tsunami i 11 marsit shkaktuan probleme qarkullimi në qytet, edhe pse epiqendra ishte larg në veri.

Shkollat dhe zyrat e bizneseve të ndryshme në mbarë vendin praktikuan gjithashtu evakuimin, ndërkohë që kabineti qeveritar mbajti një mbledhje të simuluar emergjence në zyrën e kryeministrit.

Top Channel