David Petraeus, lamtumirë ushtrisë

01/09/2011 12:45

Pas 37 vitesh shërbimi të suksesshëm, gjenerali David Petraeus do t’i
japë lamtumirën ushtrisë amerikane, për të nisur një detyrë të re.

58-vjecari do të nisë më 6 shtator aventurën e tij të re në drejtimin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, CIA.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama e ka cilësuar si “historike” karrierën e ushtarakut.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka vlerësuar kontributin e “jashtëzakonshëm” të tij në garantimin e sigurisë kombëtare, përmes misioneve në Afganistan e Irak.

Tani, lufta e tij kundër Al Kaedës dhe terrorizmit ndërkombëtar do të vazhdojë në krye të CIA-s.

Petraeus do të zëvendësojë në këtë detyrë parardhësin e tij, Leon Panetta, i cili ka marrë drejtimin e Pentagonit, pas largimit të Robert Gates.

I konsideruar si ushtaraku me më shumë influencë, gjenerali me katër yje konsolidoi reputacionin e tij pasi mori kontrollin në Irak gjatë periudhës kritike të vitit 2007.

Më pas, në korrik të vitit 2010 ai u vendos në Afganistan, për të zëvendësuar gjeneralin e dorëhequr Stanley McChrystal.

Admirali Mike Mullen, shef i shtabit të përgjithshëm të SHBA, vlerësoi shërbimin e Petraeus gjatë një ceremonie të zhvilluar të mërkurën.

“Kur ke të bësh me artin e së pamundurës, atje është i pari gjenerali Dave Petraeus dhe më pas të tjerët”, deklaroi Mullen.

Top Channel