SHBA, Obama shpall “katastrofën madhore”

31/08/2011 16:20

Presidenti amerikan Barack Obama ka shpallur zyrtarisht si “katastrofë madhore” përmbytjet dhe dëmet e shkaktuara nga uragani “Irene” në Karolinën e Veriut dhe Nju Jork.

Lëvizja në fjalë u mundëson dy shteteve për të kërkuar fonde federale shtesë për përballimin e dëmeve.

Më herët presidenti Obama firmosi deklaratat e emergjencës për katër shtete të tjera, mes të cilëve edhe Vermonti, ndër më të dëmtuarit.

Rreth 46 persona mbetën të vrarë në Shtetet e Bashkuara si pasojë e uraganit, i cili shkaktoi gjithashtu dëme me vlerë 10 miliardë dollarë dhe “fikjen” e Nju Jorkut.

Miliona vetë në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara janë ende pa energji elektrike, pas goditjes që pësuan nga kalimi i “Irene”, ditën e shtunë.

Operacionet e shpëtimit kanë vijuar edhe gjatë natës së të martës, me pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e ndihmave në zonat e goditura. Disa prej tyre janë në rrezik nga një përmbytje e dytë, pasi lumenjtë kanë kapur nivele rekord.


SHBA nis planin afatgjatë të rekuperimit

Në brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara ka nisur pastrimi pas shkatërrimit të stuhisë tropikale “Irene”.

Në veri-lindje të SHBA-se uragani ka shkaktuar përmbytje historike, si dhe mungesë energjie elektrike në 5 milionë shtëpi.Në Nju Jork, ku dëmet nuk ishin aq të mëdha sa parashikoheshin, ditën e sotme rifilloi nga puna transporti publik.

Shteti i vogël i Vermontit ka filluar punën për të marrë veten nga përmbytjet më të dëmshme të regjistruara pothuajse në një shekull, të cilat shkatërruan ura dhe mbuluan qytetin Bratëllboro.

“Ne u përgatitëm për më të keqen dhe më e keqja ndodhi në Vermontin qendror dhe jugor, ku infrastruktura është shkatërruar”, ka deklaruar sot guvernatori Peter Shumlin.

Qindra personave u është thënë të braktisin kryeqytetin Montpelier, i cili mund të përballet me një përmbytje të dytë.

Pas uraganit “Irene”, përmbytja e dytë mund të vijë nëse kompania që menaxhon ujërat vendos të hapë portat për të shpëtuar një rezervuar, ku uji po arrin nivel rekord. 

Regjistrohet viktima e parë në Kanada

Pasi mori jetën e 46 personave në Shtetet e Bashkuara, uragani “Irene” regjistron viktimën e parë në Kanada.

Sipas autoriteteve kanadeze, personi që ka humbur jetën si pasojë e stuhisë që ka përfshirë Kebekun është një i moshuar. Numri i viktimave mund të rritet ditët në vijim pasi autoritetet thonë se janë raportuar disa të zhdukur.

Ndërkohë, mbi 30 mijë persona vuajnë mungesën e energjisë elektrike, 9 mijë prej të cilëve në Brunsuik dhe 25 mijë të tjerë në Kebek.

Në zonat ku pritet të kalojë stuhia, e cila ka humbur mjaft nga forca e saj shkatërrimtare që goditi brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara, autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të përgatiten dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Top Channel