Sarkozy: Iranin mund ta sulmojmë

31/08/2011 21:50

Ambicjet ushtarake, bërthamore dhe balistike të Iranit përbëjnë një kërcënim në rritje që mund të na cojë drejt një sulmi ndaj impianteve iraniane.

Deklarata është bërë nga presidenti francez, Nicolas Sarkozy, i cili megjithatë është treguar i matur.

“Një sulm parandalues do të shkaktonte një krizë të rëndë që Franca nuk do ta dëshironte për asnjë cmim”, ka deklaruar Sarkozy.

Presidenti, duke folur përpara ambasadorëve të Francës në të gjithë botën, të mbledhur në pallatin Elize, ka komentuar edhe shtypjen e protestuesve sirianë nga regjimi.

“Presidenti sirian ka kryer një dëm të pariparueshëm”, është shprehur Sarkozy, duke iu referuar reagimit të ushtrisë siriane ndaj protestuesve në festën e Bajramit, ku mbetën të vrarë 7 vetë.

Më herët, Sarkozy komentoi edhe situatën në Libi, ku kërkoi që ndërkombëtarët të mos bëjnë të njëjtat gabime që u bënë në Irak.

Deklarata erdhi në prag të Konferencës për Mbështetjen e Libisë së Re, që mbahet nesër në Paris.

“Duhet të tregohemi të shpejtë dhe të përballemi me këtë periudhë tranzicioni në kushtet më optimale. Është një fazë delikate ushtarake dhe nëse gabohet do të shkojnë dëm të gjitha përpjekjet”, tha Sarkozy.

Top Channel