Pasanikët që kërkojnë të taksohen

31/08/2011 00:30

Cfare do t’i shtynte të pasurit të kërkojnë vetë të taksohen?. Kriza dhe sensi i përgjegjësisë dhe për këtë të fundit, gjermanët shquhen.

Jo më kot grupi i pasanikëve që ka dalë përpara e ka kërkuar të paguajë më shumë, vjen pikërisht nga ky vend.

“Asnjë nga ne nuk është aq i kamur sa Warren Buffet apo Liliane Bettencourt”, shpjegoi për “The Guardian” ideatori i kësaj lëvizjeje, Diter Lemkul. “Jemi të gjithë njerëz që punojmë, disa nga ne janë avokatë të tjerë mësues. Pasurinë tonë e kemi trashëguar dhe nuk kemi nevojë për gjithë këto para. Grupi i ka kërkuar qeverisë së Angela Merkelit të rrisë taksat vetëm për pjesëtarët e tij në përpjekje për të ndihmuar llogaritë publike e për të dhënë një shembull se si mund të zbutet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve”, thotë më tej Lemkul.

Ky kontribut konsensual në fakt nuk është aspak modest. Në arkën e shtetit gjerman ai pritet të sjellë deri në 100 miliardë euro dhe kjo, duke paguar vetëm 5 përqind më shumë të taksave për një periudhë dy vjecare.

“Kancelares i themi të pezullojë shkurtimet që prekin shtresat e varfra. Paratë të shkojnë t’i marrin aty ku ka me shumicë, që do të thotë në xhepat e pasanikëve” shton Lemkul.

Iniciativa gjermane nuk është i vetmi rast i nje filantropie të tille. Pas Warren Buffet që propozoi më shumë taksa për ata në gjendje më të mirë ekonomike në Shtetet e Bashkuara, edhe Liliane Bettencourt, gruaja më e pasur e Francës, e përqafoi këtë ide duke tërhequr pas vetes 15 miliarderë të tjerë.

Top Channel