Britania, 950 mln stërlina drejt Libisë

31/08/2011 19:55

Forcat ajrore të Britanisë po cojnë në Libi 950 milionë stërlina në para të thata që i përkasin këtij vendi, pas zhbllokimit të një aseti të kolonelit Muammar Gaddafi në favor të Këshillit Kombëtar të Tranzicionit.

Shuma e kartmonedhave, që në valutën libiane janë 1.86 miliardë dinarë, janë printuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe do t’i dorëzohen Bankës Qendrore Libiane.

Një zyrtar ka deklaruar se paratë do të ngarkohen më pas në disa makina, për t’u shpërndarë sa më shpejt në bankat e të gjithë Libisë. Shuma në fjalë u lirua pas një vendimi të komitetit të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

Në valutën amerikane ajo është 1.55 miliardë dollarë dhe mund të përdoret për të paguar punonjësit publikë. Shumë punonjës, rrogat e të cilëve varen nga qeveria, nuk paguhen rregullisht prej shumë javësh.

Lëvizja vjen në prag të një konference të madhe ndërkombëtare mbi të ardhmen e Libisë, që do të mbahet nesër në Francë, me kërkesë të presidentit Nicolas Sarkozy dhe kryeministrit britanik David Cameron.

Fondet ishin ngrirë në shkurt, kur dhe filluan kryengritjet në Libi. Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague ka deklaruar se kjo lëvizje përbën një tjetër hap përpara në dhënien e ndihmave për popullin libian.

“Këto para, që ishin ngrirë në Britani në bazë të sanksioneve të OKB-së, do të shërbejnë për të zgjidhur nevojat humanitare, për të nxitur besimin tek sektori bankar, për të paguar rrogat e sektorëve kycë publike dhe për të cliruar likuiditetin në ekonomi”, ka deklaruar Hague.

Edhe Gjermania ka kërkuar gjithashtu clirimin e 1 miliard eurove në formë asetesh të sekuestruara, ndërkohë që Franca dëshiron të zhbllokojë 5 miliardë euro për cështjet humanitare dhe shërbimet jetësore në Libi.

Javën e kaluar OKB pranoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të zhbllokuar 1.5 miliardë dollarë në formë asetesh libiane të ngrira.

Top Channel