Gaddafi, Algjeria mbron strehimin e familjes

30/08/2011 14:00

I dërguari i Algjerisë në OKB ka mbrojtur vendimin e vendit të tij për
t’i siguruar strehim bashkëshortes dhe tre fëmijëve të liderit libian
Muammar Gaddafi.

Mourad Benmehidi ka deklaruar për BBC se në rajonin e shkretëtirës ka ekzistuar gjithmonë “rregulla e shenjtë e mikpritjes”.

Ndërkohë, një zëdhënës i rebelëve e ka kritikuar këtë veprim, duke e cilësuar si një akt agresioni ndaj popullit të Libisë.

Ai ka nënvizuar se Këshilli Kombëtar i Tranzicionit do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të detyruar familjen e kolonelit të kthehet.

Ndërkohë, detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjet në masë të kryera në Libi. Sipas ministrit të Drejtësisë të KKT-së, Mohammed al Alagi, katër varre masive janë zbuluar në Libi.

Mes tyre është edhe një në Ain Zara, në jug-lindje të Tripolit, i vendosur prapa barrakave të së ashtuquajturës Brigada Khamis, komandant i të cilës ishte i biri i Gaddafi-t, Khamis.

Rebelët libianë kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të Tripolit më 21 gusht, por luftimet po vazhdojnë në disa zona të vendit, në vecanti përreth vendlindjes së kolonelit, në Sirte.

Por vendndodhja e tij nuk dihet dhe është bërë objekt spekulimesh të shumta, me zëra të ndryshëm që e vendosin atë në Sirte, në Bani Ualid dhe në Tripoli.


Vritet djali i Gaddafi-t

Djali i kolonel Gaddafi-t, Hamis u vra gjatë një beteje pranë Tripolit, deklaroi një zyrtar i lartë i kryengritësve libianë.

Koloneli Al Mahdi al Harangi, i cili është përgjegjës për brigadën ushtarake të rebelëve në Tripoli, shtoi se e ka konfirmuar se Hamis u plagos rëndë në rajonin Ben Ualid dhe më pas u dërgua në spital ku edhe la frymën e fundit.

Më pas, sic shprehet Al Harangi, ai u varros në atë rajon, por nuk bëri të ditur se kur saktësisht u vra djali i kolonelit. Sidoqoftë deri në këto momente vdekja e tij nuk konfirmohet nga burime të pavaruara.

Kryengritësit e konsideruan një veprim agresiv dhënien e strehimit për familjen e kolonelit si dhe deklaruan se do të kërkojnë ekstradimin e tyre në Libi.

“I paralajmërojmë të gjithë që të mos ofrojnë strehim për Gaddafin dhe bijtë e tij. Do t’i ndjekim kudo që të futen dhe do t’i arrestojmë”, deklaroi një drejtues i lartë i kryengritësve pas lajmit se ata ndodhen në territorin algjerian.

Ndërkaq Shtëpia e Bardhë u shpreh se nuk ka të dhëna për vendndodhjen e liderit të përmbysur dhe se nuk ka dëshmi që Muhamar Gaddafi të ketë braktisur Libinë.

“Nëse do ta dinim se ku ndodhej do ja kishim treguar kryengritësve”, deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhei Karnei.
 

Top Channel