Obama emëron këshilltarin e ri ekonomik

29/08/2011 17:55

Presidenti amerikan Barack Obama ka emëruar Alan Krueger, një ekspert mbi punësimin në Princeton University, si këshilltarin e tij të ri ekonomik.

Vendimi vjen në një moment kur presidenti po bëhet gati të shpallë një paketë të re për punësimin, në një fjalim që do të mbahet pas ditës së punëtorëve, më 5 shtator.

Papunësia e lartë mbetet një nga shqetësimet kryesore për ekonominë e Shteteve të Bashkuara, në një kuotë prej 9.1 për qind.

Zoti Krueger ka qenë më parë një ekonomist në Departamentin e Thesarit, nga viti 2009 në 2010. Nëse emërimi i tij do të konfirmohet nga Senati, ai do të bëhet kryetari i tretë i grupit të këshilltarëve ekonomikë të administratës Obama.

Kjo detyrë kryhej nga Christina Romer, gjatë periudhës 2009-2010, dhe më pas nga Austan Goolsbee. Të dy ata kanë lënë postin pas një viti punë, për t’u kthyer tek mësimdhënia.

“Duke qenë një nga ekonomistët kryesorë të vendit, Alan ka qenë një zë jetik në cështjet e shumta ekonomike në dy dekadat e fundit”, ka deklaruar presidenti Obama.

Top Channel