Kinë, skandalet e spiunazhit në web

29/08/2011 16:45

Një video që tregon një ushtarak të lartë kinez që flet për cështje të ndjeshme spiunazhi është shfaqur në disa faqe interneti.

Në video, gjenerali Jin Yinan ankohet se shumë anëtarë të Partisë Komuniste kanë “ndërruar kurs” dhe u kanë shitur sekrete vendeve të tjera.

Qeveria kineze nuk e ka komentuar videon, publikimi i të cilës përbën një incident të turpshëm për vendin, të cilit nuk i pëlqen të flasë për cështje spiunazhi.

Në video shfaqet gjenerali Jin teksa flet në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes në Pekin. Me një filxhan caj në dorë, ushtaraku i vjetër tregon për një seri cështjesh spiunazhi të regjistruara kohët e fundit.

Mes tyre, spikat ajo e një ambasadori kinez në Seul, që u ka kaluar informacione të rëndësishme autoriteteve të Koresë së Jugut.

Sipas gjeneralit, autoritetet e arrestuan ambasadorin por e akuzuan atë vetëm për krime ekonomike, pasi u vinte turp të flisnin për veprimet e vërteta të tij.

Gjithashtu, ai ka folur edhe për një ish-zyrtar të vjetër që spiunonte, ashtu sic bënte i ati një brez më parë, edhe pse ky i fundit punonte për komunistët dhe jo kundër tyre.

Audienca që dëgjoi fjalimin e gjeneralit përbëhej kryesisht nga studentë dhe rrëfimi dyshohet të jetë bërë si një paralajmërim për të dekurajuar tradhtarët.

Top Channel