Prishja e Piramidës, shqetësim për TCH

28/08/2011 17:45

Organizata për të Drejtat e Njeriut dhe Lirinë e Shprehjes, me seli në Londër, Article 19,  e cila e  ka marrë emrin nga Neni 19 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, shpreh shqetësimin e saj për prishjen e Piramidës në Tiranë dhe impaktin që do të ketë një veprim i tillë ndaj televizionit Top-Channel. 

Presidentja e kësaj organizate, Agnes Callamard tha se:  “Article 19 është në dijeni të kësaj cështje dhe njëlloj si aktorët e tjerë ndërkombëtar do të ndjekë me kujdes se cfarë do të ndodhë. Sipas saj, liria e medias është një e drejtë njerëzore esenciale, në qendër të cdo demokracie dhe qeverisje të mirë. Diversiteti i medias dhe pluralizimi janë pjesë thelbësore të një media me të vërtetë të lirë.

Sipas presidentes së kësaj organizate në prononcimin për Top-Channel, “Shkatërrimi i një ndërtese, ku ka selinë një kompani e madhe mediatike në Shqiperi, mund të ndikojë së tepërmi në diversitetin mediatik në plan afatshkurtër dhe afatmesëm, ndoshta edhe më gjatë, nëse kompania në fjalë nuk do të jetë në gjendje të rivendoset diku gjetkë ose do të ketë probleme financiare shkatërruese nga një shpërnguleje e tillë.”

Agnes Callamard thekson se “një vendim i tillë për shkatërrimin e Piramidës,  nuk mund të merrret me lehtësi dhe të gjitha masat duhen marrë për të garantuar se shkatërrimi i propozuar, pason një proces të duhur dhe pasi të jenë konsideruar në mënyrë serioze alternativat e tjera”.

Organizata e të drejtave të njeriut Article 19, që mbron të drejtën e lirisë së shprehjes dhe informacionit në botë, përmes presidentes së saj për cështjen e prishjes së Piramidës deklaron se Article 19 pret që të zbatohet një proces i plotë legal, për të përfshirë konsultimin e duhur në lidhje me ndërtimin dhe shkatërrimin e Piramidës, si dhe bërjen e një hetimi të thellë, të pavarur dhe të paanshëm për pasojat e shkatërrimit të ndërtesës së Piramidës.

Nër raste të shitjes së detyrueshme të tokës është normale që bizneset të kompensohen për humbjet e shkaktuara nga nxjerrja e detyruar nga këto ambiente. Article19 pret që parime të tilla të zbatohen edhe në rastin e kompanive mediatike.

Duke folur me një gjuhë më të qartë dhe pa ekuivoke, Presidentja e Article 19, zonja Agnes Callamard, për Top-Channel në Londër u shpreh se: ”në një rast të tillë ne presim që qeveria shqiptare të demostrojë pa asnjë dyshim, përmes aplikimit të të gjitha proceseve legale, konsultuese dhe kompensuese, se prishja e Piramidës nuk është një sulm i maskuar ndaj një organizate mediatike të pavarur”.

“Nisur nga fakti se Top-Channel është institucioni që zë pjesën më të madhe të Piramidës është e arsyeshme të pritet që një kujdes i vecantë të bëhet në tërë këto procese për të garantuar ekzistencën e një ambjenti mediatik e divers në Shqipëri” perfundon prononcimin e saj për Top-Channel, Presidentja e Organizatës së Mbrotjes së të Drejtave të Njeriut, Article 19, Agnes Callamard.

Top Channel