Gadafi kërkon bisedime

28/08/2011 16:20

Lideri libian në arrati, Muamar Gadafi është gati të nisë bisedimet për transferimin e pushtetit. Një zëdhënës i kolonelit tha për Associated Press se negociatat do të drejtohen nga i biri i udhëheqësit të përmbysur, Saadi, ndërsa vetë Gadafi sipas tij, vazhdon të jetë në Libi.

Sic raporton agjensia e lajmeve, ka qenë Musa Ibrahim ai që telefonoi në redaksi për të rrëfyer se koloneli nuk është larguar nga vendi, por pa specifikuar vendndodhjen e saktë të tij. Ibrahim, të cilin Associated Press thotë se e identifikoi edhe nëpërmjet zërit të tij, përcolli ofertën e Gadafit për bisedime me rebelët mbi krjimin e një qeverie tranzioni.

Në fillim të javës, CNN raportoi se kishte kontaktuar me Sadi Gadafin përmes e-maile-ve dhe se ai kishte shprehur dëshirën për negociimin e një armëpushimi. Në njërin prej mesazheve, Sadi shkruante:

“Do të përpiqem të shpëtoj qytetin tim Tripolin dhe 2 milionë njerëzit që jetojnë aty, përndryshe Tripoli do të humbasë përgjithmonë si Somalia. Pa një armëpushim, këtu shumë shpejt do të ketë një det gjaku”.

Ndërkohë rebelët presin që në kryeqytet të mbërrijnë rezervat aq të nevojshme të ujit dhe karburantit. Qetësia për Tripolin është ende e largët. 50 trupa të pajetë e të djegur u gjetën në një depo në jug të qytetit.

Banorët e lagjes “Salah al Din” thonë se të gjitha viktimat janë civilë të ekzekutuar nga anëtarët e një brigade të komanduar nga njëri prej djemve të Gadafit, Khamis.

“Human Rights Ëatch” pretendon se ka prova që forcat pro-Gadafit kanë vrarë të paktën 17 robër e kanë kryer ekzekutime arbitrare të dhjetëra civilëve në ditet që paraprinë rënien e Tripolit në duart e kryengritësve.

Të premten në një spital të braktisur të lagjes “Abu Salim” u gjetën 200 trupa të dekompozuar. Mjekët dhe infermierët ishin larguar nga frika e luftimeve dhe shumë pacientë të plagosur, ishin lënë të vdisnin pa asnjë lloj ndihme.

Top Channel