Aksion në Vlorë dhe Sarandë për subjektet e paregjistruara

24/08/2011 08:15

Prej dy muajsh, administrata tatimore është zhvendosur në zonat bregdetare, kryesisht në jug, aty ku aktiviteti ekonomik është në kulm për shkak të sezonit turistik.

Drejtoria e Tatimeve bën të ditur se aksionet nisën më 15 gusht dhe u mbyllën më 21, duke u fokusuar në plazhet dhe fshatrat turistikë të Vlorës dhe Sarandë. Kontrolle në këto data ka pasur edhe në Tiranë.

Sipas gazetës ‘Shqip’, gjatë inspektimit janë sekuestruar 2 Bar Kafe në Jalë dhe 1 Disko Klub në Borsh, si subjekte që ushtronin aktivitet të paregjistruar në organet tatimore. “Subjektet që ushtronin veprimtari vetëm gjatë sezonit turistik, nuk kanë dashur të regjistrohen duke kërkuar përfitimin e të ardhurave të majme nga çmimet e kripura që ofronin për pijet dhe artikujt që tregtonin”, bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në Tiranë.
 
Njoftimi sqaron më tej se këto subjekte nuk kishin të siguruar asnjë nga punonjësit e stafeve të tyre.
 
Hetimi tatimor mori masën e mbylljes së veprimtarisë dhe konfiskimit të tyre, në zbatimit të ligjit të procedurave tatimore në rastin e mosregjistrimit të subjekteve që ushtrojnë aktivitet tregtar.
 
Mësohet se janë kontrolluar 88 subjekte dhe janë ushtruar penalitete për moszbatim të detyrimeve ligjore, në mungesë të pajisjes me kasë fiskale, për mosmbajtje të saktë të dokumentacionit tatimor, për moslëshim të kuponit tatimor, për moslëshim të biletave të shërbimit me vlerë të parashtypur, të prodhuara nga institucionet e autorizuara, janë vendosur 3 gjoba me vlerë 300.000 lekë, për shoqëritë e autorizuara për tregtimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale, të cilat nuk kanë respektuar afatet e mirëmbajtjes dhe të instalimit.

Top Channel