Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se shembja e Piramidës dhe ndërtimi i parlamentit të ri në vend të saj është e nevojshme pasi kjo godinë nuk ka funksionuar.
Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Alibeaj ka theksuar se një tjetër element i rëndësishëm është edhe fakti se Piramida është “sarkofagu i diktatorit”.
“Duhet ta shohim problemin në sy dhe jo të fshihemi pas konflikteve të interesit. Në këtë godinë ka pasur shumë ndërhyrje dhe asgjë s’ka funksionuar. Së dyti, ajo është sarkofagu i diktatorit dhe nuk mund të shohësh si vlerë turistike një vlerë të diktaturës”, ka pohuar Alibeaj.
Sipas tij, zona tek Piramida është e rrezikshme për qytetarët dhe nuk ka turistë që të mbetet gojëhapur nga ajo pasi përmban psikozën diktatoriale.
“Jemi në fazën ku po përcaktojmë procedurat për të shkuar drejt realizimit. Parlamenti do të bëhet, grupet e konsultimit kanë folur dhe kanë thënë se vendi duhet të ketë edhe një parlament jo vetëm nga aspekti arkitekturor”, është shprehur Alibeaj.
Ai ka shtuar se ndërtimi i parlamentit të ri është një domosdoshmëri, ashtu sikurse ndërtimi i godinave të reja për institucione të tjera shtetërore.
“Nuk janë më pak të rëndësishme faktet se Gjykata e Lartë ka një ndërtesë për të vajtuar? Gjykata Kushtetuese po ashtu, Teatri Kombëtar. Ne fitojmë nga ana ekonomike gjithë këto hapësira pozicionimi dhe ndërtojmë një kompleks të ri parlamentar”, ka shtuar Alibeaj.
Top Channel