Presidenti francez Nicolas Sarkozy është sulmuar nga një i panjohur gjatë një vizite në Braks, në rajonin francez Lot et Garon.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat televizive franceze, të cilat tregojnë pamjet kur një person ka kapur për një moment me forcë xhaketën e Sarkozy.
Kreu i shtetit, i veshur me kostum dhe kravatë, ishte duke takuar banorët që kishin dalë ta prisnin, kur papritur është sulmuar nga agresori.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i truprojave të presidentit, të cilat kanë bllokuar të panjohurin.
Sipas burimeve, Sarkozy ka humbur për një moment ekuilibrin, por më pas është stabilizuar dhe nuk ka pësuar asnjë lëndim.
Ndërkohë, autori i sulmit, pasi është bllokuar nga truprojat, është dërguar në qelitë e xhandarmërisë së Agenit, ku është në gjendje arresti.
Top Channel