Në Japoni është një ishull, ku të kalosh më shumë se 100 vjeç është një gjë e zakonshme. Kjo ndodh në Okinaua, ku banorët jetojnë mesatarisht 82 vjeç, por shumë e kalojnë edhe shekullin.
Shkencëtarët pyesin veten prej kohësh se përse në këtë ishull jetohet shumë më gjatë se në vendet e tjera dhe ndonëse nuk kanë arritur ende të gjejnë një përfundim shkencor, dieta ushqimore e ishullit duket se është shpjegimi i vetëm.
Siç tregon e përditshmja ruse “Pravda”, banorët e ishullit prej kohësh mësojnë që të mos e kënaqin asnjëherë oreksin e tyre dhe ndjekin një dietë rigoroze prej 1 800 kalorish në ditë.
Yndyrrat janë shumë të rralla në gatim, ndërsa perimet shumë të shpeshta. Nevojat e popullsisë për mish plotësohen pothuajse vetëm me gjuajtjen në det, ndërsa përdoren në masë disa erëza të veçante dhe produkte të tjera aromatike.
Në bazë të dietës së Okinauës, studimi nxjerr pesë këshilla, të cilat janë provuar në praktikë (por jo në teori), se ndikojnë dukshëm në zgjatjen e jetës.
1. Ha pak – Është e rëndësishme që të mos ngopesh asnjëherë kurrë. Banorët e Okinauës konsumojnë rregullisht vetëm 80% të nevojave të tyre kalorifike ditore.
2. 70% perime, 30% peshk – Orizi dhe çaji janë çdo ditë të pranishëm, por sekreti i vërtetë i jetëgjatësisë së Okinauës qëndron tek pjatat e përbëra nga 70% perime dhe 30% peshk.
3. Kufizimi i mishit të kuq – Një prej arsyeve përse jetëgjatësia është shtuar kaq shumë, lidhet me uljen e dukshme të sëmundjeve kardiovaskulare. Moskonsumimi i mishit të kuq dhe ynrryrrave të rrezikshme luan një rol vendimtar.
4. Lëvizja e vazhdueshme – Jeta në qytetin e vogël të ishullit është ndërtuar në mënyrë të tillë që banorët ecin gjatë të gjithë kohës. Përmasat e qytetit e favorizojnë ecjen, gjë që nuk ndodh në metropolet e tjera të mëdha japoneze.
5. Pushimi – Është e rëndësishme të mësohet se cilat janë limitet e trupit tonë dhe ato duhen respektuar. Në Okinaua, zonat e relaksit në qytet janë të mëdha dhe ato ndodhen edhe në vendet e punës apo shtëpitë e banorëve.
Top Channel