Një person mbeti i plagosur në këmbë në aeroportin e Malpensës, në Milano, pasi një polic e qëlloi pak më parë me armën e tij të shërbimit. UPDATE
Sipas rrjetit Mediaset, përplasja me armë ndodhi në Terminalin e Parë të Malpensës, pasi një emigrant shpërtheu me makinë xhamat e jashtëm në hyrjen e aeroportit.
Autori i ngjarjes ishte një emigrant tunizian, i pajisur me një thikë, që dëshironte të ndalonte me çdo kusht gruan që të mos nisej. Besohet se çifti kishte patur një zënkë dhe bashkëshortja dëshironte të kthehej në vendin e saj.
Në makinën e përplasur në hyrjen e aeroportit, ishin edhe dy fëmijët e emigrantit. Policia, e gjendur në befasi, qëlloi mbi tunizianin, duke e plagosur në këmbë.
Ai u dërgua në spital i shoqëruar nga policia, ndërsa nga frika e një atentati, në minutat e para pas ngjarjes, pasagjerët në zonën e check-in u evakuan e fluturimet u ndërprenë.
Aktualisht, Malpensa vazhdon të jetë e bllokuar, por aeroporti pritet të rinisë brenda minutave në vazhdim shërbimin.
Top Channel