KQZ shpall 66 vende vakante

21/02/2011 11:30

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të shpallë vakante 66 vende pune, si sekretar apo anëtar në 66 Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor, për t’i plotësuar me njerëz jashtë spektrit politik.

Këto komisione të nivelit të dytë përbëhen nga 7 anëtarë. Sipas ligjit, në gjysmën e tyre shumicën e kanë Partia Demokratike dhe LSI, kurse në gjysmën tjetër Partia Socialiste dhe PBDNJ. Që një KZAZ të funksionojë duhet të ketë të paktën 4 anëtarë dhe sekretarin.

Por, si Partia Socialiste edhe PBDNJ nuk kanë dërguar ende emrat e komisionerëve të tyre, ndonëse afati ligjor ka kaluar.

“Në këto kushte nuk mund të vëmë më në rrezik procesin. Na duhet patjetër të përgatitemi për t’u ofruar zgjedhësve shqiptarë zgjedhjet”, ka deklaruar kryetari i KQZ-së, Arben Ristani.

Në fakt, vetë administrata e KQZ-së pranon se për këtë situatë nuk ka një parashikim të qartë në ligj. Për analogji është marrë një pikë e Kodit Zgjedhor, që parashikon ndërhyrjen e KQZ-së vetëm ditën e zgjedhjeve.

“Të ndodhur në këto kushte, vakanca e krijuar që sjell mosfunksionimin e KZAZ-ve është më e rëndësishme sesa të na thoni se nuk keni të drejtë të ndërhyni në cështjen e zgjedhjeve”, ka deklaruar përfaqësuesi i PD, Njazi Kosovrasti.

Vendet vakante do të shpallen në 3 gazetat me tirazhin më të madh për 3 ditë rresht. Kandidaturat duhet të dorëzohen në KQZ deri më 27 shkurt.

Për të qenë anëtar i KZAZ-së një shtetas duhet të ketë arsim të lartë, të banojë brenda zonës zgjedhore përkatëse, të mos ketë masë disiplinore në proceset e mëparshme dhe të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Paga për kryetarin dhe nënkryetarin e KZAZ-së është 65 mijë lekë, kurse për anëtarët dhe sekretarin 60 mijë lekë.

Vendimi për shpalljen e 66 vendeve vakante në 66 KZAZ-të në rang vendi, u mirëprit menjëherë pas mbledhjes nga kryetari i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth.

Sipas tij, “shpallja publike e vendeve vakante në KZAZ, që duhen plotësuar së shpejti, është një hap i rëndësishëm dhe vendimtar në garantimin e transparencës së plotë të procesit zgjedhor ndaj qytetarëve”.

Sipas ambasadorit Wollfarth, “ky hap u bë i nevojshëm vetëm pasi disa parti refuzuan të marrin pjesë në procedurat demokratike, në bazë të rregullave që i kishin bashkëhartuar dhe miratuar vetë”.

Top Channel