Drejtori i Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” ka deklaruar se deri në muajin maj do të ketë probleme me barnat në shumë shërbime të saj.
Ai theksoi se fillimi i vitit ka nisur me mungesa të ilaçeve për shkak të ndarjes që po i bëhet buxhetit të akorduar për vitin 2011.
Kjo, sipas tij, do të sjellë probleme në ofrimin e paketës të shërbimeve bazë për pacientët e siguruar.
Por ai ka garantuar se këto mungesa nuk do të jenë të theksuara.
“Jemi në fazën që po përmbyllim përcaktimin e të gjitha nevojave, mbi bazën e një studimi. Kuptohet që proçedurat janë të atilla që kanë afatet e tyre kohore. Besoj dhe shpresoj shumë që me një preokupim më të mirë të zgjidhim problemet deri në fund të majit kur edhe tenderat do të realizohen”, është shprehur ai.
Ivziku ka pranuar se fondi i akorduar për Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” është mjaft i vogël dhe ai nuk arrin të mbulojë gjithë nevojat e spitalit më të madh në vend i cili mbulon në masën 52% dhe nevojat e rretheve.
Për këtë arsye drejtori i Qendrës Spitalore do të kërkojë dhe ndihmën e donatorëve.
“Mos harroni që janë 62 shërbime unikale në QSUT të cilat kërkojnë vëmendjen nga ne përsa i përket buxhetit dhe fondeve të alokuara që duhen për to. Po ju them se do të duheshin më tepër fonde. Në planet e mia për këtë vit është që institucioni të jetë i hapur, sepse këtu ka shumë mundësi dhe një komunitet të tërë donatorësh që operojnë në Shqipëri, të cilët janë burime për kapërcimin e emergjencave që mund të krijohen”, deklaroi Ivziku.
Një tjetër shkak për mungesën e barnave në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, sipas drejtorisë së qendrës spitalore, janë dhe proçedurat e prokurimeve publike.
Ivziku ka kërkuar prokurime e proçedura të shpejta për blerjen e barnave me qëllim që ato të mos mungojnë në asnjë moment.
Top Channel