Papunësia dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve të ushqimeve do të vazhdojnë të shkaktojnë trazira, por mund të shndërrohen edhe në pretekse për konflikte të vërteta ushtarake në të ardhmen e afërt.
Ky ishte përfundimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërsa çmimet e ushqimeve pësojnë rritje, vendet do të priren gjithmonë e më shumë nga politikat proteksioniste ndaj ekonomisë, politika që mund të çojnë në lindjen e luftrave mes shteteve.
Papunësia dhe kostoja e jetësës kanë qenë arsyet kryesore që kanë shkaktuar revoltat masive në Tunizi dhe Egjipt. “Tensionet midis vendeve do të rriten, së bashku me presionet proteksioniste, në tregti dhe financa”, deklaroi Dominique Strauss-Kahn, presidentin i FMN-së, gjatë një fjalimi në Singapor.
”Nëse nuk bëhet asgjë për të përmirësuar gjendjen aktuale, paqëndrueshmëritë politike dhe sociale do të vazhdojnë. Kjo mungesë serioze balanci po çon botën drejt një krize të re dhe tepër serioze”.
Sipas raportit të FMN-së, e ardhmja nuk duket aspak premtuese. Në dekadën e ardhshme, 400 milion njerëz të rinj do të shtohen forcës globale të punës, duke krijuar një problem shumë serioz për të gjitha qeveritë.
”Po përballemi me perspektivën e një “brezi të humbur” të rinjsh, të destinuar të vuajnë gjatë të gjithë jetën nga papunësia kronike dhe kushtet e këqija sociale. Krijimi i vendeve të reja të punës duhet të jetë objektivi kryesor për të gjithë ekonomitë në botë”.
Papunësia është 9,4% në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 10% në Bashkimin Europian, por shumë më e lartë në vendet e botës së tretë. Në Shqipëri, zyrtarisht pranohet një nivel papunësie prej 13%, por ajo mund të jetë deri në 30%, sipas raporteve ndërkombëtare.
Top Channel