Gentiani, është një i ri që ka vendosur të korrigjojë atë që ai e quan një gabim të adoleshencës.

Është koha për të zhdukur një shenjë. Pas pesë vjetësh me një tatuazh në trup, ai ka vendosur ta eleminojë. Por si? Ndoshta me mjetet e duhura, ndonjë klinikë mund t’ia rikthejë lëkurën e tij të dikurshme.

“Unë këtë tatuazh e kam bërë në moshën 15 vjeçare. Në atë kohë më pëlqenin shumë”, tregon Gentiani.

I mërzitur nga figura që tashmë ka marrë pamje të pandryshueshme në krah, 20-vjeçari kërkon me çdo kusht zhdukjen përgjithmonë të tij. Pavarësisht kushteve dhe torturës së përsëritur që duhet të durojë.

“Tani dua që ta heq. Jam bërë pishman. Është edhe në një vend që duket”, thotë Gentiani.

Fshirja e pigmentit që ka zenë vend mirë në shtresat e brendshme të lëkurës do të realizohet me rreze lazer. Mjekja dermatologe Kozeta Dyrmishi, na shpjegon se kjo metodë ndërhyn duke djegur shtresat e lëkurës në zonën ku lokalizohet tatuazhi.

“Figura nuk largohet menjëherë. Në fillim krijohet një kore pasi është një farë diegie që bëjmë ne. Korja bie duke zhdukur edhe bojën”, shprehet Kozeta.

E për të zhdukur shenjëzimet trupore që shumë njerëz i bëjnë me një pasion të papërmbajtshëm rinor, nuk mjafton një seancë e vetme.

“Ka tatuazhe që kalojnë me një seancë, por ka edhe të tjerë që duan më shumë se një”, shpjegon Kozeta.

Edhe pas shumë të tillash, do të mbetet një gjurmë që, sipas specialistes, do të zhduket me kohën. Por kjo varet edhe nga lloji i figurës së aplikuar dhe bojës.

“Në tatuazhet me bojra të errëta, efektiviteti është më i lartë”, thotë Kozeta.

Megjithatë, metoda lazer nuk jep shpresë për të gjithë ish-pasionantët e tatuimeve.

“Kur tatuazhet janë shumë masive, atëherë aty duhet të merret kirurgjia plastike”, shprehet Kozeta.

Nëse shumë njerëz kërkojnë të harrojnë lidhjen e tatuazhit me një kujtim të dikurshëm, njolla që do të mbetet gjithësesi mbi trup pas ndërhyrjes, vështirë se do ta mundësojë këtë.

“Ka shumë që vijnë pas moshës 20-30 vjeç për të hequr tatuazhet. Vajzat më shumë janë ato që vijnë për të hequr inicialet e personave dikur të dashur”, tregon Kozeta.

Shenjëzimi i trupit nga figura e shprehje të ndryshme vetiake, nga më të çuditshmet e deri më mbresëlënëset, tashmë është një tendencë në Shqipëri. Por, mendohet se po kaq të shumtë në numër, janë edhe të penduarit apo të mërziturit nga këto shenja në trup.

“Ka shumë që vijnë për të hequr tatuazhet. Vitet e fundit janë shtuar shumë”, thotë Kozeta.

Tatuazhet dizenjohen për të qenë të përhershëm dhe nëse kërkoni të shpëtoni njëherë e mirë prej tyre, duhet ta dini që shpenzimet nuk janë të pakta. Madje, heqja e tyre mund të kushtojë më shumë sesa stampimi i tij në lëkurë dikur.

“Është një kosto e përballueshme pasi është pothuajse sa çmimi i bërjes”, shprehet Kozeta.

Gentiani sapo ka përfunduar seancën e parë të lazerit për heqjen e një tribali. Deri në zhdukje, duhet shumë vullnet. Megjithë sakrificën, ky djalë nuk është një prej të penduarve të pakthyeshëm, pasi tatuazhin e vjetër do ta zëvendësojë menjëherë me një figurë të re.

“Do bëj një tjetër, më të bukur. Tani kanë dalë tatuazhe të reja”, shprehet Gentiani.

Pas kësaj eksperience, për një gjë duhet të bindemi të paktën: lindja e biznesit për heqjen e tatuazheve nuk rrezikon aspak atë të aplikimit të tyre. Përkundrazi, të dyja së bashku duket sikur janë një inkurajim për njëra-tjetrën.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel