Sa gjëra janë të pazbuluara në botë, sa enigma rrethojnë ekzistencën tonë, a ka jetë përveç nesh në hapësirë? Ndoshta e ardhmja do të na tregojë për shumë gjëra, ndoshta do të na japë përgjigje rreth pyetjeve që prej shekujsh ne i kërkojmë, ndërsa  Joni Boçari ka dashur t`i japë tani me librin e tij të parë që titullohet “Borfor”.

Është një histori që i takon zhanrit të fantashkencës. Joni Boçari ka ndërtuar me mendje një planet të largët nga Toka por shumë të ngjashëm me të. Subjekti i këtij libri ngjan gjithashtu me një numër subjektesh të kinematografisë moderne por sidomos me historinë e “Knowing” me Nicholas Cage. Sidoqoftë, ky është një libër fëmijë.

“Në libër flitet për një djalë i cili jeton në një planet tjetër, ku banorët e tij,ikeasit, janë shumë të zhvilluar. Njerëzit e kanë ëndërr të bëhen ikeas dhe personazhi i librit nuk bën përjashtim”, shprehet Joni.

E ka nisur ta mendojë subjektin që në moshën 9 vjeçare, por në mars të 2009-ës, “mori guximin” dhe e hodhi gërmë për gërmë, për të patur një vit më vonë një vëllim me 540 faqe, plot personazhe dhe ngjarje që e tejkalojnë fantazinë e botës fëminore.

“Subjekti i librit te befason. Kur e mora per ta redaktuar thashë punë fëmijësh, por më pas e pashë që nuk ishte punë dosido. Ka punuar shumë për të krijuar personazhet”, tregon Flutura Subashi.

Dardali, Arkneri, Zafiri, Vordraku, Xhonatani janë 5 nga emrat e 100 personazheve të “Borfor” që për nga numri krahasohen me romanin historik “Lufta dhe Paqja” të Tolstoit.

“Emrat e personazheve i kam shpikur vetë, kam bërë kombinim gërmash. Doja emra të cuditshëm meqë historia nuk ka lidhje me planetin tonë”, sqaron Joni.

Ky libër me 31 kapituj, përshkohet nga linja të shumta, por “shkrimtari në ngjizje”, Joni Boçari, kërkon t`i rrotullojë ngjarjet rreth luftës “mes së mirës e së keqes” ku për çudi fiton ndonjëherë edhe e keqja.
 
“Kapitulli 22 më ka marrë më shumë kohë. Aty paraqiten shumë konflikte dhe më është dashur t’i shpjegoj me saktësi gjërat”, rrëfen shkrimtari i vogël.

Dhe në këtë shqetësim krijues “befasinë e parë” e përjeton nëna, ajo që mendonte ta bënte Jonin piktor apo muzikant “Joni ka zgjedhur të bënte atë që i ka pëlqyer, nuk donte t’ia imponomin ne.”

Të shkruash në këtë moshë, duket befasuese, por Joni Boçari nuk është i vetmi në llojin e vet. Enis Banaj, një vit më parë, në Pasdite në Top Channel tregoi për aventurën e tij krijuese që u kurorëzua me romanin e tij të pare “5 Diamantet Zeiter”, “Hija e se vertetes”.

Janë ditët e Panairit  të Librit, mes turmës së njerëzve, në stendat e shtëpive botuese, Joni pyet për autorët e tij të preferuar  JK Rowling dhe Dan Brown.
 
“Më pëlqen panairi dhe blej libra, por nuk lexoj çdo lloj letërsie. letërsia klasike nuk më pëlqen”, thotë Joni.

Mes morisë së librave gjejmë “Borfor”. Joni Boçari qëndron përkrah autorëve të tjerë, në mendje ka edhe 9-të të tjerët, pret t`i shkruajë “me një frymë” për të dhënë Sagën e luftës së Ikeasve. Deri atëherë, ky autograf i parë, i dhënë mbi libër, mund të ketë fituar famën e vet.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel