Fiksojeni njëherë e mirë në kokë se dieta ideale, ajo që mund t’ju dobësojë duke ngrënë cdo gjë që na pëlqen, pra plot më ëmbëlsira, brumëra dhe ushqime të skuqura, nuk ekziston.

Për t’u dobësuar mirë, në mënyrë të shëndetshme dhe për një kohë të gjatë, duhet të ndiqni një dietë të ekuilibruar, personale, sipas nevojave të trupit tuaj.

Dieta e cuditshme e doktor Haub

Profesori i ushqimit njerëzor në Kansas State University sugjeroi që për 10 javë duhet të ndiqej një dietë bazuar në ushqimet e ëmbla, të kripura, biskota, dridhëra me sheqer, patate të skuqura…Sipas tij nuk ka rëndësi se cfarë ha, por sa kalori merr në trup. Në fund të eksperimentit Haub humbi 12 kilogramë. Pyetja që ngrihet është: Një dietë e tillë, na bën mirë apo keq? Mund të hash ushqime të dëmshme duke u varur vetëm te kaloritë?

Dieta që nuk është dietë

Ajo që ndoqi Mark Haub nuk është dietë, por një mënyrë e gabuar ushqimi. Kështu thonë ekspertët, dietologët më të mirë.

Ushqimi që duhet të marrë një person duhet të jetë i ekuilibruar, i shëndetshëm, i mirë për të parandaluar një sërë sëmundjesh në trup që vijnë si pasojë e konsumimit të produkteve të gabuara.Tashmë është e ditur që në dietën e gjithësecilit duhet të jenë të pranishme frutat, zarzavatet, lëngjet, që në këshillën e Haub nuk figurojnë askund.

Cfarë na dobëson realisht?

Ekspertët thonë se nuk ka një dietë unike që mund të ndiqet nga të gjithë. Trupat tanë janë të ndryshëm dhe kanë nevoja të ndryshme, ndaj nëse dëshironi të dobësoheni mund t’i drejtoheni një mjeku specialist dhe të ndiqni këshillat e tij.

Kujdes duhet të tregoni në autokontrollin e ushqimeve që konsumoni. Mos harroni të merrni fruta, zarzavate, lëngje, ujë, drithëra në sasitë e duhura, dhe do ta shihni që trupi juaj do të funksionojë më mirë, më me energji.

Po ashtu përpiquni të bëni ecje, vrap ose aktivitet tjetër fizik.

Top Channel