Një shkollë për t’u bërë kllounë

10/11/2010 19:00

Persona të shndërruar në personazhe të ndryshëm, të maskuar me bojëra, paruke e veshje shumëngjyrëshe. Një individ i cili përcjell gjithnjë alegri: Ky është animatori.

Në pamje të parë të krijojnë përshtypjen si persona që marrin iniciativa individuale për t’u veshur si klloun apo ndonjë personazh tjetër, por funksionon një shkollë edhe për këtë profesion.

Profesor Ladi i cili jep lëndët profesionale tregon për fillesat e kësaj dege.

“Shkolla ka filluar që në vitin 1993-1994. Kanë qenë trajnimet e para për animatorët specialë dhe kursi u bë dy vjet”, shprehet Ladi.

Ndoqëm një orë mësimi dhe këtu nxënësit mësojnë teknikat e zanatit dhe lëndët e tyre janë të të gjitha llojeve që formimi të jetë i përgjithshëm. Por, animatori jo vetëm mëson në shkollë, por ai edhe duhet të jetë i pajisur me një dhunti në këtë fushë.

“Kemi ardhur në orën e folklorit që ju shërben nesër atje ku do të punojnë që të njohin kulurën dhe traditat e asaj zone. Ata perfeksionojnë ritmin veshjet dhe imitojnë traditat e vendit ku do të performojnë”, thotë një nga mësuesit.

“Bëjmë edhe psikologji, punë sociale dhe antropologji”, tregon një nga nxënësit.

Kursi i nxënësve animatorë praktikohet në ambjentet e shkollës. Lëvizjet që ata mësojnë duhet të jenë të kombinuara dhe të shoqërojnë me gjuhën e gjesteve kuptimin e këngës. Me pak fjalë, duhet të kenë të zhvilluar plastikën e trupit.

Profesioni i animatorit nuk fillon dhe mbaron me maskimin e një kllouni. Sekreti është tek mënyra sesi ai i vë dijet e tij në shërbim të krijimit të një gjendjeje gazmore tek publiku.

“Përgjithësisht opinioni mendon gabim për imazhin e animatorit, por ai është shumë i rëndësishëm për gjendjen sociale të personave të ndryshëm si në institucione për njerëzit në nevojë”, thotë profesori.

Animatori është gjithnjë i përfshirë me gjendjen emocionale të atij komuniteti ku shkon duke iu përshtatur mjedisit, psikologjisë së njerëzve dhe duke i ndihmuar ata të harrojnë problemet e tyre për një moment.

“Shoqëria e animatorëve është e përbërë nga 40 vullnetarë ku bëjmë animacione të ndryshme në institucione si burgjet, azilet e pleqëve etj”, shprehet profesor Ladi.

Por animatorin nuk e njohin si një profesion të mirëfilltë, ndaj profesor Ladi ngre shqetësimin e ligjërimit të këtij profesioni, jo shumë të ekspozuar si i tillë.

“Kemi organizuar shoqërinë e animatorëve me kursin e shkollës për të ligjëruar dhe mbrojtur punën e animatorit dhe përfshirjen e tij në instancat shtetërore”, thotë profesori.

Top Channel