Çiftelia është një instrument me dy tela, por për Gjin Pepkolajn, një 45 vjeçar të apasionuar me muzikën, ajo mund të jetë akoma më shumë. Mund të jetë një çelës, një pushkë, një lopatë, një shtëpi, një piramidë, pse jo dhe një gur prej mermeri që lëshon tingull.

Gjini në jetën e përditshme shet kaseta muzikore dhe në kohën e lirë në aktivitete të ndryshme i bie çiftelisë. Pasioni për muzikën ka lindur me të. Ideja për të transmetuar mesazhe të ndryshme me formën e instrumentit të dashur për të i ka lindur kohë më parë.

“Ideja për të realizuar çifteli me forma të ndryshme më ka lindur disa vite më parë, për të bërë gjëra të veçanta dhe për të transmetuar mesazhe me instrumentin”, thotë Gjini.

Më e veçanta për Gjinin, është çiftelia që ka ndërtuar më së fundmi. Ajo është prej mermeri dhe peshon gati 3 kilogramë.

“Dua të tregoj që edhe nga guri nxirret tingull”, shprehet Gjini.

I është dashur kohë ta punojë, pasi mermeri, sipas tij, është delikat aq më tepër kur merr trajtat e një çiftelie. Ndërkohë ideja më e thjeshtë për të realizuar ka qenë çiftelia në formë lopate.

“Përgjithësisht lopata i ka munduar njerëzit”, tregon ai.

Një nga çiftelitë e koleksionit të tij të çuditshëm është dhe një dyshe që domethënien e ka po aq të madhe sa ç’janë dhe përmasat e saj.

“Këtu është Kosova dhe Shqipëria në një trup të vetëm”, tregon ai.

Secila nga këto çifteli ka tingullin e saj. Për personazhin tonë, kjo është gjithashtu veçantia e secilës prej tyre. Ai është i sigurt se ata që e dëgjojnë muzikën e tij, kudo që të ndodheshin do e kuptonin se është ai duke interpretuar.

Por në morinë e çiftelive që varen në dhomën e tij të pritjes në periferi të Tiranës, pavarësisht preferencave vetjake, Gjini na tregon se çiftelia që u tërheq më shumë vëmendjen vizitorëve është ajo pushkë.

“Me këtë çifteli kam dashur të përcjell mesazhin e paqes, që në vitin 2010 pushka të mos shërbejë për vrasje, por për art”, rrëfen ai.

Me çiftelinë çelës, Gjini na tregon se është pikërisht muzika që hap zemrën e njerëzve. Më tutje varen edhe çifteli të tjera: njera në formën e larvës së bretkosës që i kujton fëmijërinë, tjetra ngjitur me një kitare për të treguar se dhe çiftelia është bashkëkohore dhe i reziston kohës apo një tjetër që i përngjason një vegle që dikur përdorej në zdrukthtari apo dhe në formën e piramidës. Por qëllimi për të ideuar dhe përçuar mesazhe të tilla për Gjinin nuk mbetet vetëm pasioni.

“E nisa për pasion, por tani mendoj se duhet të shkoj në Guinness”, thotë ai.

Ndërkohë ideja e ardhshme për t’u realizuar është një çifteli në formë sharre.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel