Albana Dushi është vërtet një vajzë që të bën të kthesh kokën mbrapa. E reja nga Tirana është 29 vjeç dhe ka përfunduar studimet për inxhinieri telekomunikacioni.

“Flokët nuk i kam prerë që kur kam qenë 14 vjeçe. I kam rritur sepse më argëtojnë”, thotë Albana.

Pak persona jashtë rrethit të saj familjar e dinë që Albana i ka flokët kaq të gjata, pasi pjesën më të madhe të kohës i mban të mbledhura pikërisht për të mos provokuar reagime.

“Reagimet janë të ndryshme, disa qeshin, disa bëjnë komplimenta, por unë nuk dua t’ia di, eci në rrugën time”, shprehet Albana.

Albana na tregon se për të nuk është aspak e vështirë për t’u kujdesur për një gjatësi të tillë flokësh. Ajo thotë se i lan dy herë në javë gjatë periudhës së dimrit dhe pothuaj përditë gjatë periudhës së verës. Shpenzon një shampo në muaj dhe krehja, që e lodh pak më shumë, i merr njëzetë minuta në ditë.

T’i mbash flokët lëshuar nuk është e lehtë. Shpeshherë ato i krijojnë pengesa, madje në një rast i kanë rrezikuar dhe jetën.

“Duke notuar njëherë në det për pak sa nuk u mbyta kur provova të zhytesha. Gjatë rrotullimit në ujë mu lidhën flokët në fyt. Por kjo nuk më trembi, janë gjëra që ndodhin”, tregon Albana.

Mamaja e saj nuk e ka penguar për rritjen e flokëve, edhe pse vetë asaj i duket e lodhshme kujdesja për to.

“I them, nuk të bezdisin flokët, por ajo më thotë që jo”, thotë mamaja.

Albana kujdeset vetë për flokët dhe parukeritë i frekuenton rrallë. Kuptohet, habia i pushton dhe vetë ekspertët e flokëve.

Genci Pustina, parukier prej 15 vitesh pohon se është hera e parë që sheh një vajzë me flokë kaq të gjata.

“Realisht floku juaj është shumë i shëndetshëm dhe ju shkon”, thotë Genci.

“Më vjen ndërmend që sa durim paska pasur që i paska zgjatur. E dyta e ka ushqyer shumë mirë dhe nëse do më thoshte se do i priste nuk do ja prisja”, shton ai.

Ndërkohë larmia e modeleve është e pafundme për një gjatësi të tillë. Arsyeja pse i rrit? Albana na siguron se s’ka asnjë qëllim të marrë pjesë në rekorde Guinness. Është vetëm kënaqësi personale.

“Flokët nuk do kisha për t’i prerë për asnjë arsye në botë dhe janë gjëja më e bukur për mua. Jam rritur me to dhe janë gjëja më e shtrenjtë në botë”, shprehet Albana.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel