Do të udhëtojmë sot drejt një bote të mistershme dhe të panjohur, e cila është megjithatë brenda temave të shumë bisedave dhe brenda frikës së shumë qytetarëve të Tiranës së mbipopulluar.

Do të takohemi me disa njerëz që jetojnë të pavërejtur nga askush. Me disa njerëz që janë gjithmonë në “gjueti”.

Hajduti i xhepave, është një krijesë që jeton në zona me lëvizje të dendura njerëzish. Ai vëren çdo person, është i vëmendshëm, i kujdesshëm dhe shumë i shkathët. Në shumë raste, ai nuk është më shumë se thjesht një minoren. Do të takojmë sot dy prej tyre.

“Shtëpitë i kemi tek Uzina Dinamo. Nuk shkojmë në shkollë. Me njeri-tjetrin jemi çuna xhaje. Shtëpitë i kemi me blloqe. Prindërit punojnë në komunale”, thonë fëmijët.

Po, këta të vegjël diku mësojnë apo dëgjojnë për fenomenin vjedhje. Për rastin konkret ka edhe anëtarë të tjerë të familjes së një prej fëmijëve të përzier me këtë veprimtari.

“Në burg ka qenë vetëm mamaja ime. U dënua se fuste duart në xhepat e të tjerëve. Është kapur nga një grua që e ka çuar në polici. Në burg bëri gjashtë vjetë”, shprehet një prej tyre.

Kushërinjtë kanë një vend që frekuentojnë shpesh për të dalë për “gjueti”.

“Futeshim nga ora 3 deri në 6, në Laprakë. Nganjëherë bashkëpunonim bashkë, nganjëherë jo”, tregojnë ata.

Mjeshtria e tyre është se të duken si djem të pafajshëm nga vetë mosha minorenë që ata përfaqësojnë dhe për ta, nuk hedh njeri dyshimin se ai mund të të zhveshë nga paratë që ke me vete. Por si funksionon? Cilat janë vendet ku ata preferojnë më tepër të vjedhin?

Rrugë me shumë kalimtarë, autobusë, mjete transporti.

“Kur donim të vidhnim shkonim me atobus në Laprakë. Në autobus s’kemi vjedhur asnjëherë”, thonë fëmijët.

Por a janë gratë apo burrat ata që përbëjnë “prenë” e preferuar të këtyre xhepistëve të vegjël? Edhe pse nuk bëjnë diferencime gjinore, ata gjithsesi, kanë të preferuarit e tyre.

“Kuletën ja vidhnim burrave ose grave. Kur e mbanin në xhep ja mernim pa u ndjerë. Pastaj iknim avash-avash dhe më pas fshiheshim. Dhe kur ai shkon në shtëpi të vetë shikon që nuk ka kuletën. Njëherë në një portofol gjetëm 1 milion lekë”, tregojnë ata.

Këta fëmijë, nuk janë të vetmit në familjen e tyre që merren me vjedhje të vogla. Ata tregojnë se disa anëtarë të tjerë në atë familje të varfër kanë historinë e tyre me vjedhje.

“Motra ime e vogël vidhte që më e vogël se unë. Merrte tenxhere nëpër shtëpia të tjera, derisa ia mori dorën të vjedhurës”, thonë fëmijët.

Më i papërfshirë në këtë familje duket se është babai i cili ka tërhequr vëmendjen bashkëshortes së tij për xhestin e hajdutërisë.

“Mami ka dy muaj që ka dalë nga burgu. I thoshte mos rri me atë Rudinën dhe ajo i tha më fal babit”, tregojnë fëmijët.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel