Për 33 vjet me dhëmbin…në vesh!

21/10/2010 13:10

Stephen Hirst, një ish-minator anglez 47-vjecar ka jetuar për 33 vjet me një dhëmb që i kishte mbirë …pranë veshit.

Burri ishte viktimë e dhimbjeve të tmerrshme që prej adoleshencës dhe ishte bërë pjesërisht i shurdhër.

Vetëm pas një ekzaminimi të mirëfilltë dhe me shumë detaje u zbulua prezenca e dhëmbit pranë veshit.

“Pata dhimbje të tmerrshme që në moshën 14-vjecare. Nuk kishte kurrë pushim për mua dhe nuk mund të përqendrohesha te asgjë. Kur isha më i ri përplasja kokën pas murit nga dhimbjet; nuk e ekzagjëroj kur them që ndihesha shumë keq”, thotë Hirst.

47-vjecari thotë se nuk e mban mend sa herë ka shkuar për t’u vizituar, por mjekët nuk arritën ta zbulonin se cfarë kishte.

Zbulimi i dhëmbit u bë vetëm falë një sonde me mikroskop që ishte tentativa e fundit për t’i dhënë zgjidhje problemit madhor të tij. Gjatë ndërhyrjes me anë të disa pincetave të vogla u arrit që dhëmbi të nxirrej jashtë. Bëhej fjalë për një dhëmb qumështi, sepse nuk ishte i rritur sa gjithë të tjerët.

Tani Hirst nuk dëgjon pjesërisht, por nuk ka më dhimbjen e tmerrshme që e bëri të vuante për vite me radhë.

Top Channel