Elbasan, 150 mijë euro për të verbrit

30/09/2010 08:45

Komuniteti Europian ka akorduar 150 mijë euro për integrimin e të verbërve në fushën e edukimit dhe arsimit.

Projekti dyvjeçar me temë “Libra pa barrierë, edukim i fokusuar dhe rehabilitim psiko– social për personat me probleme shikimi”, është prezantuar edhe në qytetin e Elbasanit, i cili është një ndër katër qytetet e vendit që ka përfituar nga Komuniteti Europian.

Luriana Sollaku, drejtoresha e projektit thotë se “të verbrit në Shqipëri përballen me një sërë barrierash në fushën e arsimit, edukimit, duke mos qenë kështu aktivë dhe kontribuues në komunitet.

Për këtë qëllim projekti i sipërpërmendur ka si qëllim të eliminojë këto barriera dhe kjo arrihet nëpërmjet fuqizimit dhe pranueshmërisë nga komuniteti ku ata jetojnë dhe janë të rrethuar”.

Projekti synon gjithashtu të ndalojë barrierat arsimore, ndërkohë që ngre platformën për të luftuar mospjesëmarrjen institucionale dhe social-ekonomike.

Në këtë projekt do të përfshihen personat e verbër nën moshën 45 vjeç në rrethet Vlorë, Shkodër, Tiranë dhe Elbasan.

Sipas Sollakut qëllimi i projektit dyvjeçar do të jetë përforcimi dhe bashkëpunimi në nivel lokal si pikë fokale për t’u arritur decentralizimi i shërbimeve për personat e verbër, ndërveprimi midis tyre dhe komunitetit ku jetojnë, ofrimi i shërbimeve psiko-sociale, terapi në familje, si dhe promovimi i modeleve inovative për decentralizimin e shërbimeve dhe edukimin e personave që kanë probleme me shikimin.

Të gjithë të verbrit e qarkut do të kenë mundësi që nëpërmjet pajisjeve tifloteknike, kompjuterëve, librave audio, si dhe pajisjeve me skaner dore të lexojnë libra si dhe të njihen me të gjitha fushat e artit, shkencës dhe kulturës.

Projekti ka nisur dje dhe në zyrat e shoqatës do të jenë të mirëpritur të gjithë ata persona që janë pjesërisht të verbër si edhe të verbrit.

Në Qarkun e Elbasanit zyrtarisht numërohen rreth 1500 të verbër, që ndoshta aplikimi praktik i këtij projekti do t’u zbusë inferioritetin përballë sfidave të jetës apo pjesës tjetër të shoqërisë.

Top Channel