“Njoh kokën e Berishës”

29/09/2010 19:10

Besnik Caushi ndjehet krenar ndërsa kujton shprehjen e vjetër që lartëson profesionin me të cilin jeton prej 40 vjetësh.

Dhe në fakt nuk është pak të të besojnë kokën figurat më të shquara të politikës që nga Sali Berisha, Fatos Nano, Rexhep Meidani, Bashkim Fino, Genc Pollo, Agron Musaraj, Fehmi Abdiu, e shumë qeveritarë të tjerë.

Berberi i qeveritarëve, sic e njohin Besnikun, s’ka pak kohë që ka dalë në pension. Tani punon vetëm për pasion disa orë në berberhanen e një kolegu të tij. Eshtë 70 vjec dhe që nga viti 1994 e deri në qershorin që shkoi ka punuar pranë shërbimeve qeveritare. Ai që e mori në këtë punë qe pikërisht klienti i tij më i hershëm doktor Sali Berisha, të cilin Besniku e ka qethur që student, pasi kishte dyqanin pranë fakuletit të Mjekësisë.

Edhe pse ka punar me gërshërë që në moshën 10 vjec, berberi i njohur tregon se puna me personalitetet është disi më e vështirë sesa me njerëzit e thjeshtë. “Në fillim, fakti që janë të njohur të krijon kompleks”, pohon ai.

Me ta ka zgjedhur të mos flasë shumë dhe të përgjigjet vetëm kur e pyesin. Por kjo gjithsesi nuk e ka penguar të vendosë raporte miqësore në distancat e lejuara. Bisedat e zakonshme që shkëmbenin mes tyre kanë qene ato për shëndetin e familjen. Flokë të bukur apo jo, berberi rrëfen se të gjithë janë njësoj të ndjeshëm në një pike, të duken sa më bukur në shfaqjet e tyre publike. Më merakliu në këtë drejtim rreshtohet sërish ish-ministri i Brendshëm, Agron Musaraj.

Tani që ka dalë në pension i ka mbetur merak që s’ka bërë asnjë fotografi me klientët VIP. Por të gjithë e dine që ai është berberi i qeveritarëve dhe puna e tij futet tek ato të rëndësisë së veçantë. Sedrën ia përkëdhel dhe interesimi i të shoqes, Adiles, që herë pas here kur ishte në punë e pyeste me kuriozitet se çfare flitej tek berberhania e tij. Besniku ka shërbyer kudo që e kanë kërkuar, jo vetëm në dyqanin e tij pranë ish-vilës së Mehmet Shehut, por edhe në rezidencat qeveritare ku e thërrisnin klientët e tij. Ndjen nostalgji për atë kohë edhe pse nuk është ende larg prej saj. Vetëm prej disa kohësh mungesë dhe vë re ndryshimet në look-un e ish-klientëve të tij që tashmë qethen tek një tjetër berber. “I shikoj në televizor dhe them ky i paska shkurtuar shume”, pohon Besniku.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel