Nënë e bijë, të famshme

20/09/2010 18:50

Është vetëm në fillimet e karrierës muzikore, por ia ka dalë të ketë një prezantim të denjë, e madje të tërheqë shumë shpejt vëmendjen e publikut.

Anxhelina është vajza e një personazhi shumë të njohur, që dashur pa dashur ka pasur çfarë të fitojë nga genet e së ëmës, e po ashtu edhe jeta e saj artistike.

Bëhet fjalë për Albërie Hadërgjonaj, këngëtarja kosovare që karrierën e saj e ka ndërtuar më së shumti në Shqipëri, tashmë po stërvit pranë krahut të saj, Anxhelinën, të bijën e cila sapo ka mbushur 18 vjeç.

“Që e vogël kam adhuruar mamin. Gjithmonë kam dashur të bëhem këngëtare. Muzikën e kam shumë pasion”, shprehet Anxhelina.

E përveç pasionit dhe prirjeve të shfaqura prej vajzës që në vogëli, një dozë injektimi për muzikën dhe skenën nuk i është mohuar Anxhelinës.

“Me punën që bëj, ajo ka qenë gjithmonë nëpër këmbët e mia. Ka ndikuar edhe kjo pjesë, por Anxhelina është fëmijë i talentuar. Edhe pak e kam imponuar, por duke parë që ka talent”, thotë Albëria.

“Ka ndikuar shumë teksa shihja mamin që bën prova dhe duke e pasur pranë më është shtuar dëshira”, shprehet Anxhelina.

Të kesh talent e për më tepër të jesh e bukur, janë dy arsye që të bëjnë të mirëpritur në ekrane dhe skena, por të jesh vajza e një personazhi të mirënjohur është favori më i madh që mund t’i sjellë fati një këngëtareje në hapat e saj të parë.

“Është e thjeshtë kur je vajza e një personazhi të njohur. Mund të ketë vajza shumë të talentuara, por emri im ia ka hapur dyert edhe pse është e talentuar”, thekson Albëria.

Në të tilla rastesh është pak e vështirë t’ju shpëtosh ndikimeve dhe modelimit.

“Më kritikon, më jep këshilla që unë të dalë mirë”, shprehet Anxhelina.

“Ndonjëherë dhe acarohem se, dua t’i bëjë gjërat sipas mënyrës sime. Por ne i përkasim ‘old school’, e ndërsa këta janë ‘new school’”, thekson Albëria.

E dashur padashur, kur jeton në gjirin e një artisti, e kur mësimet e para nisin prej andej, ambicia e së resë kthehet në një sfidë familjare.

“Do bëj më të mirën e mundshme për ta çuar para, e ta nderojë mamin”, thotë Albëria.

Në këtë dyzim të përfaqësimit mbiemëror, mes nënë e bijë, ekziston edhe një vijë paralele që, edhe pse ndoshta jashtë vullnetit të tyre ndez një lloj rivaliteti.

“Ngaqë mami është shumë në formë, na thonë më mirë e ëma se e bija. Më vjen mirë”, shprehet Anxhelina.

“Fëmijën e do më shumë se gjithçka. Jo e xhelozoj, por dua që të jetë më e mira në botë. Do hiqja dorë nga karriera ime për të”, pohon Albëria.

Por a do të mundet Anxhelina e re që të krijojë një profil të sajin autentik dhe të ndryshëm nga ai i së jëmës me të cilën ende e identifikojnë sot shumë dashamirës të muzikës? Për këtë ndoshta është ende shumë herët.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel