Emërtimi i të porsalindurve është gjithmonë një moment delikat. Lista të gjata me finalistë të përshtatshëm për të qenë targa e secilit.

Pas viteve ’90 një tendencë pothuajse dominuese u bë emërtimi i fëmijëve sipas idhujve të prindërve. Sportistë, aktorë, kengëtarë kryesisht perëndimorë që bëheshin fëmijët, nipërit apo shokët e dikujt.

Afërdita Hysi është një punonjëse me eksperiencë në një gjendje civile në Tiranë dhe gjatë punës së saj ka regjistruar shumë e shumë diva, talente dhe superstarë.

“Emrat zakonisht frymëzohen nga sportistët, aktorët, këngëtarët”, thotë Afërdita.

Nga Brazili i largët vjen frymëzimi për shumë fëmijë.

“I përhapur më tepër si emër është Ronaldo. Vetëm në zonën time janë 6 ose 7”, tregon Afërdita.

Por kampionati i fundit botëror është kaluar në rëndësi nga një tjetër eveniment televiziv.

“Emra janë vendosur edhe nga personazhet e Big Brother”, shprehet ajo.

Shoqëria shqiptare dhe emrat që u vendosën fëmijëve mund të evolojnë, por se kujt i takon e drejta për këtë emërtim nuk ndryshon pothuajse kurrë.

“Më tepër baballarët këmbëngulin tek sportistët, por edhe me pëlqimin e nënës”, shprehet Afërdita.

Një tjetër baba ka pasur një mendim disi të çuditshem për të emërtuar djalin e tij, madje më shumë guxim pasi po flasim për në 1987 dhe rezultati është studenti i ditëve tona në degën e juridikut Hamilton Shehi.

“Emrin e kam si një futbollist i famshëm i Skocisë që quhej Hamilton”, tregon Hamiltoni.

Ndoshta me sportistë shumë të njohur na është mësuar veshi, por me emrin Hamilton marrëdhënia nuk është kaq e ngrohtë.

“Gjithmonë jam përballur me pjesën e çudisë së njerëzve kur prezantohem”, tregon Hamiltoni.

Por edhe pse sportistët kanë goditur sërish yjet e skenës ngelen të preferuar.

“Regjistrimet e emrave të huaj filluan pas ’90… Sot kemi emra si Adriano Çelentano apo Albano Karizi”, rrëfen Afërdita.

Për Hamiltonin nuk ka qenë kaq e thjeshtë të gëzuarit e emrit.

“Kur mamaja ka shkuar për të regjistruar emrin në gjendjen civile është zënë me punonjëset e tyre që nuk e donin si emër. Për pasojë nuk e kreu traditën e dhënies së llokumes”, rrëfen Hamiltoni.

Madje dhe sot ka ndonjë vështirësi.

“Kam vështirësi me femrat. Në fillim e quajnë se tallem kur them emrin. Ka pasur raste që kam nxjerrë mjete identifikimi që të më besonin”, tregon Hamiltoni.

Por ai ka parë dhe më keq.

“Kam lozur njëherë futboll me një çun që e kishte emrin Arnold, edhe pse në fizik nuk e justifikonte shumë emrin”, thotë Hamiltoni duke qeshur.

Top Channel