Papa në Skoci, pritet nga mbretëresha

16/09/2010 20:00

Papa Benedikti XVI në ditën e parë të vizitës në Skoci dhe Angli ka shprehur tronditjen dhe keqardhjen e tij për fëmijët e abuzuar seksualisht nga priftërinjtë në vende të ndryshme të botës.

Nën masa të rrepta sigurie Papa nisi një vizitë zyrtare katër ditore i ftuar nga monarkja britanike. Vizita është kritikuar pasi shpenzimet prej 12 milione stërlina do të paguhen nga takspaguesit. Ndalesa e parë e Atit të Shenjtë ishte qyeti Edinburgh në Skoci, ku ai u prit në HolyRood House nga monarkja britanike mbretëresha Elisabeta II e cila është edhe drejtuesja e Kishës Anglikane.

“Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për kontributin special të e Kishës Katolike, vecanërisht në ndihmën e dhënë të varfërve dhe atyre në nevojë në shoqërinë tonë. Ju uroj një vizitë sa më të frytshme dhe mbresëlënëse”, tha ajo. Mijëra skocezë qe ne orët e para të paradites zunë vënd në rrugët e Edinburgut duke pritur e më pas përshëndetur Papën. Nuk janë shënuar incidente megjithëse ishin paralajmëruar protesta. Në Bellahouston Park në qytetin e Glasgout, Papa mbajti një meshë në qiell të hapur ku morëm pjesë me mijëra besimtarë.

Gjatë udhëtimit nga Roma për në Skoci, Papa ka bashkëbiseduar me gazetarët në bordin e avionit që njihet me emrin “Bariu i parë” duke kritikuar ashpër priftërinjtë pedofilë. Ati i Shenjtë i përshkroi ata si perversë duke shtuar se niveli vigjilencës i Kishës Katolike ishte shumë i dobët. “Ne jemi në një moment pendese, duke menduar për ata të cilët janë viktima të këtyre abuzimeve. Na lind detyra t’i ndihmojmë ata për t’i kaluar traumat e pësuara, t’i rikthehen normalitetit dhe besimit në fenë e tyre”, theksoi Papa.

Deklarimet e sotme janë më të ashprat që Papa bën pas skandalit të priftërinjve katolikë për të cilët Benedikti XVI propozon largimin e tyre njëherë e mirë nga kisha. “Eshtë e vështirë t’i kuptosh veprimet e tyre. Eshtë e dhimshme dhe të shkakton keqardhje përse kisha nuk ishte vigjilente dhe menjëherë aktive për të marrë masat e duhura. Ata të cilët janë fajtorë për abuzimet me fëmijët në të ardhmen në asnjë mënyrë nuk duhet të drejtojnë shërbesat fetare. Ne duhet t’i zhveshim ata nga e drejta për të qenë priftërinj”, shtoi Ati i Shenjtë. Papa gjatë ditës së nesërme pas takimin me kryeministrin David Cameron, do të takohet me disa prej atyre të cilët janë abuzuar nga priftërinjtë katolik në Britani.

Top Channel