“Facebook” të mban me famë

13/09/2010 19:05
Koncerte, shfaqje, intervista, gazeta. Por të gjitha këto duket se s’mjaftojnë për të fituar popullaritet.

Pavarësisht njohjes në publik për shkak të karrierës që gëzon secili prej tyre, shumë persona publikë shfrytëzojnë tanimë edhe rrjetet sociale në internet për të zgjeruar numrin e admiruesve.

Shumë herë abuzohet me profilet e rreme të VIP-ave shqiptarë, por nuk janë të pakët as ata që kanë një jetë virtuale mjaft të pasur. Mes morive të profileve të sajuara përshembull nga fansat e Çiljetës, gjejmë edhe profilin që ajo vetë përdor, që të për fshehur disi gjurmët në foton prezantuese të faqes, ka vendosur atë të Sailor Moon-it. Por, në brendinë e saj, këngëtarja aq popullore shfaqet tërheqëse dhe provokuese si gjithnjë.

Nga mania facebook, nuk ka shpëtuar pa u infektuar as këngëtarja Eneda Tarifa. Edhe ajo ka një faqe të saj-ën në këtë rrjet, ku pjesë e miqve nuk janë vetëm fansat. Po kështu ndodh edhe me modelen Matilda Meçini, ku përveç publikimit të përditshmërisë dhe ndjesive të saj personale, në profilin e modeles gjejmë të publikuara edhe shumë foto artistike.

Këngëtari Ardian Trebicka ka një faqe gjithashtu shumë aktive në Facebook. Po ashtu edhe Soni Malaj që me fotot e saj të profilit na bën të kuptojmë masën e lumturisë që është duke përjetuar në lidhjen e saj me balerinin Mirko.

Diana Proko, aktorja e shumë komedive shqiptare ka një nga aktivitetet më të pasura të rrjetit popullor Facebook. Më pak e rezervuar në foto dhe deklarime personale është miss-i Genta Ramadani, por që gjithësesi ka preferuar të përfaqësohet edhe ajo në këtë komunikim të hapur virtual. Në Facebook, në një faqe shumë të populluar gjejmë edhe këngëtaren nga Kosova Genta Ismaljli.

Florian Binaj dhe Salsano Rrapi mbajnë në këtë rrjet një profil po aq komik sa edhe profesioni i tyre. Aktivë padiskutim, por gjithnjë duke mprehur gjuhën e humorit edhe në faqet reciproke të Facebook-ut.

A mund të mungonin në një rrjet kaq të frekuentuar politikanët shqiptarë? Disa prej tyre madje janë joshur aq shumë nga popullariteti që u jep aktiviteti virtual saqë po t’i kërkosh i gjen në një pjesë të madhe të kohës online. Kaq shumë i fiksuar rezulton të jetë pas Facebook-ut deputeti Andis Harasani, Kastriot Islami, por edhe demokrati Gerti Bogdani. Tek ky i fundit, është e vështirë të kuptohet nëse është mjeshtëria politike apo pasioni rinor për internetin ai që e bën kaq të dhënë pas komunikimit në Facebook.

Më të prekshëm dhe të gjithë bashkë nuk bëhet t’i gjesh vip-at shqiptar, veçse në rrjetin miliardësh të populluar anë e kënd botës. Veç kënaqësisë që japin me praninë në faqet e shumë miqve të njohur e të panjohur, duket se edhe ata vetë, personazhet publike, në një botë ku përpjekja për ta kuruar imazhin që shfaqet përpara publikut sa vjen e sofistikohet, kanë gjetur në Facebook mënyrën sesi mund ta bëjnë këtë gjë vetë, duke qëndruar ndërkohë në rehatinë e shtëpisë me një kompjuter përpara.

Dhe mirënjohja e ndonjërit prej tyre për këtë dhuratë, duket se s’mungon.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel