Londër, taksitë e zeza mbyllin një epokë

08/09/2010 16:05

Londra humbet një tjetër simbol pas kabinave të kuqe telefonike dhe autobusëve dykatësh që janë në zhdukje e sipër.

Radha u vjen taksive me ngjyrë të zezë, një nga simbolet historike të Londrës që prej vitit 1958. Sipas “Wall Street Journal”, makinat e krijuara nga Eric Bailey i Austin, nuk do duken më në rrugët e kryeqytetit të Anglisë.

Nuk bëhet fjalë për një mjet të thjeshtë transporti por për një ikonë londineze, e përjetësuar edhe në shumë filma të famshëm. Kate Moss, Laurence Olivier, Stanley Kubrick e princi Filip janë vetëm disa nga emrat që e kanë përdorur një makinë të tillë për qëllime personale.

Arnold Schwarzenegger e mban të parkuar në garazhin e tij në Kaliforni pasi makina nuk plotëson normat e ndotjes. Eshtë pikërisht ndotja e madhe që shkakton makina e zezë, që do ta nxjerrë jashtë loje për t’u zëvendësuar me Mercedes Vito.

Top Channel