Femrat nuk duhet t’i druhen më rivalitetit brenda gjinisë. Është krijuar përshtypja sikur ato më shumë se kushdo tjetër, janë të prirura për t’u kujdesur për pamjen e jashtme, veçanërisht të dhëna pas faktit për t’u dukur bukur.

Por sallonet e bukurisë dhe qendrat estetike po pushtohen gjithnjë e më shumë nga gjinia tjetër, meshkujt. Estetistët thonë se tanimë kujdesi për lëkurën, trupin apo edhe shërbime që dikur kishin target vetëm grupin femëror, nuk konsiderohen më si tabu nga seksi tjetër.

Nuk është për t’u habitur nëse në një sallon bukurie, meshkujt të miksojnë radhën e pritjes mes femrave.

“Nuk është më problem si dikur që meshkujt privoheshin nga të vajturit në qendra estetike. Është shtuar shumë kujdesi dhe trajtimi për trupin”, është shprehur Anila Kalleshi.

Kohët kanë evoluar aq shumë sa në disa raste, janë meshkujt ata që kryesojnë listën e dëshirave të bukurisë në raport me seksin tjetër.

“Meshkujt janë më të interesuar sesa vetë femrat, sidomos për trajtimin e fytyrës”, thotë Anila Doka.

Paragjykimet ekzistojnë pavarësist emancipimit dhe evoluimit të mendimeve. Shpesh për të shmangur vështrimet e kureshtarëve që i shënjestrojnë si të çuditshëm, burrat zgjedhin orare të vona për të vajtur në një qendër estetike. Megjithatë, një lloj përzgjedhjeje ekzsiton mes klasës së tyre kur vjen fjala për kërkesat e shërbimeve e bukurisë.

“Ata që i kushtojnë më shumë rëndësi anës së jashtme, janë njerëz që kanë një kulturë të veçantë, kanë një karrierë dhe nuk kanë paragjykime. Janë politikanë, janë njerëz të shquar, biznesmenë, njerëz publikë, që punojnë në dikastere të ndryshme”, tregon Anila Kalleshi.

Por çfarë kanë aq shumë të dëshiruar burrat kur i drejtohen një qendre estetike? Po aty mësojmë se ata kërkojnë pak a shumë çdo lloj shërbimi që mund t’i ofrohet edhe një femre.

“Meshkujt bëjnë maska, trajtime fytyre, masazhe, depilim, lyerje flokësh, këto prerje- krehje nuk diskutohet”, tregon Anila Doka.

Ardian Fejzullai është 38 vjeç. Ai është një prej klientëve të rregullt të një salloni, që me një përkushtim të përafërt femëror përpiqet të ruajë me sa mundet rininë e tij trupore. Madje për t’u dukur më mirë estetikisht ai nuk heziton të durojë as torturën e depilimit.

“Bëj trajtim të fytyrës, lëkurës, masazh. I bëj për t’u dukur më mirë, shplodhem dhe ndihem vërtet mirë”, shprehet Ardian Fejzullai.

Kohët kanë ndryshuar mjaft. Pa kusht çmimi, pa paragjykime, burrat e ditëve të sotme kërkojnë të duken mirë estetikisht, po aq mirë sa kërkojnë të jetë edhe një femër para syve të tyre.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel