Shëndeti Publik: Shqiptarët, 2 për qind dehen

30/08/2010 08:20

Rreth 2 për qind e shqiptarëve çdo ditë gjenden të dehur.

Përqindja është një nga përfundimet e rezultatit të studimit të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, me kampion  3 mijë qytetarë.

Sipas studimit, rreth 5 për qind e personave që konsumojnë pije alkoolike janë nxënës të grupmoshave 15-16 vjeç. Ashtu si me duhanin, fillesat e konsumit të alkoolit janë në moshën 13 vjeç, kryesisht në klasën e tetë. Rreth 40 për qind e meshkujve në moshë aktive, 25-49 vjeç, janë konsumatorë të alkoolit.

Por shifrat nuk lënë mbrapa as femrat. Sipas studimit të ISHP-së, rreth 5 për qind e femrave janë konsumatore të alkoolit, madje ato parapëlqejnë të konsumojnë produkte alkoolike në mënyrë sistematike.

Nga ana tjetër, statistikat raportojnë se 9 për qind e sëmundjeve janë për shkak të konsumit të alkoolit ndërkohë që 2/5 e rasteve të dhunës është për shkak të tejkalimit të normës së lejuar të alkoolit. Alkooli është përgjegjës për një listë sëmundjesh, si hipertensioni, cirroza, zemra, hemorragji cerebrale, tumor të gojës, stomakut e mëlçisë.

Top Channel