Është ora pesë e mëngjesit. Dielli nuk ka lindur. Shumë prej banorëve të Tiranës ende nuk janë zgjuar nga gjumi. Ndër të paktët që kanë nisur punën pa aguar mirë janë disa të rinj.

Detyra e tyre për sot është që sallën e kthyer përmbys nga dasmorët e një nate më parë ta shndërrojnë në një ambient mikpritës.

Nis puna. Afati i fundit për t’i dorëzuar sallën çiftit të ri është ora 20:00.

Mund të duket si një proçes jo edhe aq i ndërlikuar ky i përgatitjes së një dasme, por në të vërtetë koha për të bërë arredimin kërkon shumë orë.

“Nëse vini re është ora rreth 5 dhe çunat kanë gjysmë ore që kanë nisur punën për të mbuluar kupolën prej xhami”, tregon Armand Peza.

Në fund të kësaj sfide të bukur, por dhe të lodhshme, do të zbulojmë se një nga djemtë e ekipit të Geraldina Sposa ka qëndruar në krye të kupolës të paktën për dy orë rresht.

“Megjithëse salla është shumë e bukur, tavanin e ka shumë industrial dhe na duhet të fshehim tubat dhe lidhjet që nuk janë shumë estetike duke vendosur shëndelierë”, thotë Armandi.

Paralelisht me vendosjen e 10 shëndelierëve, djemtë e tjerë të ekipit po punojnë me një nga elementët me kritik të dekorit. 16 copa të bardha kërkojnë një fiksim estetik për ta shndërruar këtë kupolë të drunjtë në një disk ndriçues.

Për administratorin e “Geraldina Sposa”, Armand Peza, ky kamuflim është pjesë e një vizioni që ai ka për rezultatin final.

“Është momenti që zbardhet tavani, një proçes që ka funksionin për të zbutur kontrastet e forta që ka kjo sallë për të pasur sa më tepër dritë”, shpjegon Armandi.

Pas katër orë pune pa ndërprerje djemtë kanë kuruar pjesën më të rëndësishme të këtij ambienti që të kujton shtëpitë e bukura të fshatit. Pas një pushimi të shkurtër prej 15 minutash radha i vjen veshjes dhe zbukurimit të tavolinës ku do të jetë e përqëndruar e gjithë vëmendja e dasmorëve.

“Në pjesën e pasme ku kemi vendosur lule dielli dhe ulliri, të cilat janë disa bimë që sjellin fat”, shprehet Armandi.

Orë pas ore ambienti i cili do të pushtohet nga tingujt e muzikës, vallëzimet trokitja e gotave dhe urimet për të sapomartuarit po merr formë.

“Martesa është shkencë, ka evoluar, kërkon një bazë njohjeje”, thotë Armandi.

Diferencën në këto evente e bëjnë detajet. Armandi na thotë që duke dashur që një ambient të mos i ngjajë tjetrit mundohet të luajë me elementë të ndryshëm.

Ora shënon 20:00. Momentet e fundit i përkasin shpërndarjes së petaleve me ngjyrë floriri në tapetin e bardhë.

“Është një traditë e re dhe gjithkush mund ta përdorë në objekte të ndryshme”, shprehet Armandi.

Dhe tani, le të fillojë dasma!

FOTO GALERI
2/3

Top Channel