Korea e Veriut kërcënon me luftë

16/06/2010 01:00

Korea e Veriut ka mohuar edhe njëherë tjetër përfshirjen e saj në mbytjen e anijes koreano-jugore, “Cheonan” më 26 mars të këtij viti si dhe ka paralajmëruar OKB-në se çështja në fjalë mund të shkaktojë luftë.

“Lufta mund të lindë sa hap e mbyll sytë. Nëse Këshilli i Sigurimit lëshon ndonjë masë kundër nesh duke ushtruar presion ndaj nesh atëherë unë si diplomat nuk do të mund të bëj asgjë. Masat në vazhdim do t’i kalojnë ushtrisë sonë”, deklaroi ambasadori i Pënianit në OKB, Sin Son Ho.

Mbytja e anijes koreano-jugore më 26 mars, ku gjetën vdekjen 46 marinarë, ka rritur ndjeshëm tensionet në Gadishullin e Koresë. Gjithashtu hetimi i ndërmarrë nga Seul, Japonia dhe SHBA, i cili arriti në përfundimin se anija “Cheonan” u fundos nga një silur koreano-verior kundërshtohet ashper prej Penianit.

Top Channel