Ekspertët rrugorë kundërshtojnë hapur një projektligj, që qeveria do të kalojë së shpejti në Parlament, në lidhje me dëmshpërblimet e kompanive të sigurimeve për të aksidentuarit.

Ata thanë se, si grup interesi, nuk u mor parasysh fjala e tyre dhe se në ligj cënohet rëndë interesi i qytetarëve.

“Grupet e interesit duhet të ishin pyetur për këto ndryshime në ligj, pasi sot ka një numër pambarim të qytetarëve që nuk kanë marrë dëmshpërblimet nga kompanitë siguruese, si dhe preken thellë interesat e tyre. Ishte një domosdoshmëri pjesëmarrja jonë në hartimin e këtij drafti, në nivel ekspertësh, sepse ai prek interesat e qytetarëve, është bërë i njëanshëm dhe favorizues për palën tjetër, diçka jo normale”, tha Gëzim Hoxha, ekspert rrugor.

Eksperti Gëzim Hoxha thotë se janë disa nene në këtë draft, të cilat parashikojnë të dëmtojnë haptas interesat e të siguruarve.

“Dikush do t’ia japë mjetin për përdorim një personi të tretë e për këtë duhet të njoftojë kompaninë siguruese, që ‘unë po e pajis me autorizim filanin dhe do të shkojë në filan vend’, diçka e pamundur. Po kështu, ka hapësira kur mjeti ka difekte teknike, apo kur drejtuesi i mjetit ecën me shpejtësi më të lartë se sa ajo e lejuar dhe bëhet shkak për aksidente. Kuptohet që automjete në gjendje teknike perfekte nuk ka, as ato që dalin nga fabrika kanë problemet e tyre. Këtu mund të gjenden justifikime për t’i hapur një shteg gjërave, në mënyrë që qytetarët të mos dëmshpërblehen”, tha më tej Gëzim Hoxha.

Një tjetër pikë e debatueshme në ligj është Asambleja e Byrosë së Sigurimeve, e cila do të jetë e përbërë nga drejtuesit e kompanive të sigurimeve, që përbën edhe konfliktin më të hapur në ligj.

“Aty trajtohet edhe çështja e Asamblesë së Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, e cila përbëhet nga anëtarë të kompanive. Është e pakuptimtë që drejtuesit e kompanive të jenë edhe pjesë drejtuese e Asamblesë, në asnjë vend të botës nuk ndodh kjo”, përfundoi Hoxha.

Së shpejti, projektligji do të kalojë për diskutim në Komisionin e Ekonomisë.

Top Channel