Në spitalin Circolo, në Vareze, në Lombardi, robotët po zëvendësojnë doktorët dhe infermierët në disa prej detyrave në luftën kundër koronavirusit.

Ata mundësojnë monitorimin në distancë, falë kamerave të tyre, çka edhe lejon që stafi mjekësor të mos jetë i detyruar të qëndrojë fizikisht në dhomë, duke kufizuar kështu përdorimin e pajisjeve mbrojtëse dhe duke kursyer kohë.

‘’Roboti na ndihmon të monitorojmë disa parametra klinikë të pacientit si për shembull, rrahjet e zemrës, frymëmarrjen, presionin e gjakut si edhe aspektet mekanike të frymëmarrjes’’, shprehet Francesko Dentali.

Doktor Francesko Dentali, drejtor i repartit të kujdesit intensiv thotë se robotët janë ndihmës të palodhur. Ata nuk mund të infektohen dhe as të sëmuren në një kohë kur mjekët dhe infermierët në Itali, janë goditur rëndë nga ky virus. Një ditë më parë u raportua për 77 mjekë dhe infermierë që kanë humbur jetën në këtë betejë.

‘’Kjo teknologji na lejon të komunikojmë dhe ta ndjekim pacientin në distancë. Sigurisht që marrëdhënia njerëzore do të vazhdojë të jetë e nevojshme, madje ajo është thelbësore, por robotët janë një ndihmë e madhe’’.

Reagimi i pacientëve më të shtyrë në moshë, kur në vend të mjekut apo infermierit janë përballur me një robot, fillimisht nuk ka qenë edhe aq pozitiv. Por pacientët më të rinj, janë ekstremisht të interesuar dhe pavarësisht shëndetit të tyre, që rrezikohet nga Covidi, ata duken të mahnitur.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel