Fernando Torres mbylli zyrtarisht karrierën e tij si futbollist. Sulmuesi më prolifik i përfaqësueses spanjolle luajti këtë të premte ndeshjen e tij të fundit me skuadrën e Sagan Tosut, një sfidë të cilën e luajti kundër Vissel Kobe ku përballë kishte Andres Iniestën dhe David Villan me të cilët shkroi historinë në futbollin iberik.

Lajmi i vetëm i hidhur në 90 minutëshin e fundit të karrierës së Torres në fushat e gjelbra ishte humbja 6-1 e Sagan Tosut. Për sa u përket aspekteve të tjera emocionet ishin të shumta.

I krijuar në akademinë e Atletico Madrid, Fernando Torres u shndërrua shumë shpejt në idhullin e tifozëve të Los Colchoneros. Por shpërthimin e pati në Premier League me Liverpool ku me golat e tij arriti të fitojë zemrat e tifozëve anglezë e jo vetëm.

Finalja e Evropianit të 2008 i dha mundësinë Torres të lërë një gjurmë të fortë teksa shënoi golin e fitores së Spanjës ndaj Gjermanisë duke bërë që La Roja të nisë një cikël suksesesh duke fituar botërorin e 2010 dhe Evropianin e 2012, ku edhe këtu Torres shënoi në finalen që Spanja fitoi 4-0 ndaj Italisë. Aftësia realizative e Torres bëri që Roman Abramovich të bëjë gjithçka për ta marrë atë te Chelsea.

Me Blutë e Londrës Torres fitoi një Ligë Kampionesh dhe një Europa League. U rikthye te Atletico Madrid për një epokë të dytë, pas një periudhe të shkurtër te Milani. Me skuadrën e Diego Simeones ai triumfoi sërish në Evropë teksa fitoi Europa League, trofeu i dytë për të në këtë kompeticion. Torres i dha sërish lamtumirën Atletikos dhe këtë radhë gjithçka ishte shumë më emotive, për të mbyllur karrierën në kampionatin japonez.

Top Channel