Nëse keni nisur pushimet dhe keni shkuar tashmë në plazh, apo nëse planifikoni të pushoni këtë verë, duhet të dini se për të gjitha plazhet shqiptare kanë hyrë në fuqi disa rregulla, të cilat duhet të sigurohen nga të gjithë privatët.

Një prej kritereve është hapësira prej 2.5 metra përpara brezit të parë të çadrave të jetë e lirë për t’u shfrytëzuar nga publiku. Rregullorja parashikon dhe hapësirën minimale dhe maksimale që jepet me qira, kushtet që duhet të plotësojë stacioni i plazhit, mirëmbajtën e bregut dhe pastrimin e tij.

Stacioni i plazhit duhet të ketë në dispozicion të pushuesve një dush me ujë të ëmbël për çdo 100 çadra, si dhe të jetë i pajisur me shërbimet higjienike, kabinat e zhveshjes, zonën e ndihmës së shpejtë për pushuesit, të sigurojë kalimin e publikut në rrugët që lidhin rrugën publike me plazhin publik; të garantojë kushtet e sigurisë për rojet e plazhit dhe për nivelin e zhurmave.

Ledion Lako, drejtor i Agjencisë Kombëtare te Bregdetit tha në ” Wake Up” se të gjitha subjektet që kanë lidhur kontrata për të marrë me qira një hapësirë në plazh nëse nuk respektojnë rregullat do të penalizohen me gjoba deri në zgjidhje të kontratës.

Top Channel