Alexis Sanchez nuk po kalon një periudhë aspak të mirë te Manchester United, që kur u transferua atje vitin e kaluar, ndërsa nuk shikohet si titullar nga trajneri Solskjaer dhe mund të largohet në fund të sezonit.

Aventura e sulmuesit kilen te “Djajtë e kuq” ka qenë e shoqëruar nga dëmtime të shpeshta, ndërsa ka regjistruar vetëm 25 paraqitje në fushë, ose rreth 1100 minuta, shumë pak për një futbollist që fiton 500 mijë paund në javë.

Megjithatë së fundi është Administratori i Deleguar i Interit, që ka kontaktuar me Sanchez dhe i ka ofruar atij një rol prej protagonist, në një projekt ambicioz, si ai i klubit zikaltër, që synon rikthimin në majat e Europës.

Interi e ka kërkuar Sanchezin që në kohën kur ai luante për Udinesen, por më pas kileni zgjodhi të transferohej te Barcelona dhe më vonë te Arsenali dhe Manchester United në Angli, megjithatë palët mund të bashkohen këtë verë, nëse sulmuesi do të plotësojë kushtin e vendosur nga klubi milanez.

Gjithçka ka të bëjë me pagën e Alexis Sanchez, të cilën Interi nuk mund t’ia ofrojë dhe ka kërkuar nga sulmuesi që të reduktojë pagën e pretenduar, për të hyrë në negociata me Manchesterin, për një transferim në Milano.

Vetë sulmuesi e ka mirëpritur ofertën e zikaltërve dhe mundësinë për t’u rikthyer në kampionatin Italian, por ka kërkuar kohë për të dhënë përgjigjen e tij, pasi të jetë konsultuar me menaxherët.

Top Channel